Frikë në Tiranë nga ideja që kosovarët të marrin pasaporta të Shqipërisë

Prishtinë | 13 Tet 2017 | 13:21 | Nga

Mediat në Shqipëri i ka dhënë jehonë të madhe idesë së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që kosovarët të marrin pasaporta të Shqipërisë në mënyrë që të lëvizin të lirë në Zonën Shengen.

Kjo jehonë më shumë është bërë nga frika që BE-ja t’ia pezullojë Shqipërisë lëvizjen e lirë nëse vendoset dhënia e pasaportave për kosovarët.

“Shtetësia për kosovarët? Meta: Rrezikojmë lëvizjen e lirë”, është titulli i Top-Channel, televizionit më të madh në Shqipëri, transmeton lajmi.net

Portali i këtij televizioni citon deklaratën e Metës të dhënë mbrëmë në Kosovë, ku thoshte se marrja e nënshtetësisë shqiptare nga shtetasit kosovar për të përfituar nga liberalizimi i vizave do të mund të sillte pezullim të vizave dhe për shqiptarët.

“Marrja e nënshtetësisë shqiptare për t’iu gëzuar liberalizimit të vizave s’e zgjidh problemin e zhbllokimit të proceseve integruese të Kosovës. Shqipëria është nën monitorim nga vendet e zonës Shengen të Bashkimit Evropian mbi plotësimin e detyrimeve për liberalizimin e lëvizjes së lirë. Një lëvizje e pakonsultuar në këtë drejtim mund të sillte pezullimin e vizave edhe për të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Mund të mos ishte tepër produktive pavarësisht nga qëllimi i mirë pozitiv dhe ndihmues që ka një propozim i tillë”, është shprehur Meta për RTK-në.

Kushtëzimin e liberalizimit të vizave të Kosovës me demarkacionin kreu i shtetit shqiptar e quan një kushtëzim jo të drejtë, pasi Kosova i ka plotësuar të gjitha detyrimet që burojnë nga udhërrëfyesi.

“S’është e drejtë që pas kaq vitesh qytetarët e Kosovës të jenë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që të mos i gëzohen liberalizimit të vizave. Po të varej prej meje dhe për dëshirën e institucioneve të tjera të Shqipërisë kjo gjë do të ishte bërë që dje e jo që sot. Kjo nuk është një zgjidhje, as afatshkurtër dhe as afatgjatë për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Meta.

Presidenti Meta tha më tej se duhen shtuar përpjekjet për të zhbllokuar çështjen e liberalizimit të vizave, si dhe duhet punuar me mirëkuptim dhe mirëbesim me Malin e Zi, por dhe me BE për çështjen e demarkacionit

Të ngjashme