Fushata zgjedhore nis zyrtarisht pas mesnatës, KQZ tregon për përgatitjet

Prishtinë | 20 Sht 2017 | 23:54 | Nga

Fushata zgjedhore për zgjedhjet komunale të 22 tetorit nis zyrtarisht sonte pas mesnatës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) thotë se janë duke vazhduar përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve.

Zgjedhjet Lokale në vend do të zhvillohen në gjithsej 38 komuna, me ç’rast do të vendoset për kryetarin dhe ata që do të ulen në Asambletë Komunale.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Indeksonline se së shpejti KQZ-ja do të bëjë certifikimin e Listës Përfundimtare të Votuesve, me çka do të dihet saktë numri i tyre për secilën komunë.

“KQZ-ja së shpejti do të bëjë edhe miratimin e dizajnit dhe përmbajtjen e fletëvotimeve për secilën komunë”, ka shtuar Elezi.

Ndryshe gjatë ditës së djeshme Indeksonline ka raportuar se janë mbi 12 mijë aplikacione për regjistrim nga ata që jetojnë jashtë Kosovës përderisa në zgjedhjet e përgjithshme ishin pranuar mbi 20 mijë aplikacione.

Gjithashtu nga KQZ është bërë thirrje për Subjektet Politike që të respektojnë plotësisht detyrimet që dalin nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe ato Lokale dhe Rregullat Zgjedhore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme