Gjuriqi e lidh pajtimin shqiptaro-serb me dënimin e Haradinajt

Prishtinë | 12 Mar 2017 | 11:36 | Nga

Duke folur për rastin Ramush Haradinaj, i cili është ndaluar në Francë në fillim të janarit të këtij viti në bazë të një urdhër-arresti serb, shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se dëshmitë që Serbia i ka dërguar në gjykatën e Kolmarit janë “jashtëzakonisht serioze” dhe se nuk ka “asnjë arsye që Franca të mos veprojë në pajtim me obligimet ndërkombëtare”.

“Po e monitorojmë me kujdes se si Franca po merret me këtë rast dhe e përsëris – sido që ata të veprojnë ndaj kërkesës sonë, ashtu do të veprojmë edhe ne në kërkesat e tyre”, ka paralajmëruar Gjuriq në TV “Pink” të Serbisë.

Ai thotë të jetë shumë i kënaqur “që gjyqësia serbe dhe organet tjera shtetërore, edhe pse Haga e ka liruar Haradinajn dhe askush s’e ka dënuar për mijëra serbë të vrarë e për qindra mijëra tjerë të zhvendosur, kanë punuar në atë drejtim që njerëz si Haradinaj të dalin para drejtësisë”.

“Për këtë arsye ne kemi kërkuar përmes Interpolit arrestimin e Haradinajt dhe shumë të dyshuarve tjerë për krimet më të rënda të luftës. Besoj se drejtësia është e nevojshme në mënyrë që të hapet një faqe e re në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-serbe”, ka shtuar Gjuriq.

Ai ka shtuar se dënimi i krimeve të luftës plotëson drejtësinë dhe viktimat dhe kontribuon që situata politike “në krahinën jugore të Serbisë të “pastrohet” sepse nuk është mirë që akterët kryesorë në jetën politike të jenë ata për të cilët dihet se janë bartës të vrasjeve dhe konflikteve”.

Të ngjashme