Hahn përshëndet marrëveshjen për kodin telefonik

Prishtinë | 14 Nën 2016 | 09:28 | Nga

Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, ka mirëpritur arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për kodin telefonik të Kosovës.

Përmes rrjetit social Twitter, Hahn ka thënë se pret që ky përparim do të përshpejtojë marrëveshjet e tjera, siç është ajo e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe marrëveshjes së energjetikës.

“E përshëndes marrëveshjen e arritur sot ndërmjet dy palëve për zbatimin e mëtejmë të marrëveshjes për telekomunikacionin. Shpresoj se ky përparim do t’i përshpejtojë marrëveshjet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe energjetikës”, ka shkruar Hahn në Twitter.

Qeveria e Kosovës dhe Zyra e BE-së në Kosovë ka njoftuar mbrëmë për arritjen e marrëveshjes për kodin telefonik të Kosovës, e cila pritet të alokohet nga ITU më 15 dhjetor.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri thënë dje se “ky është një sukses i madh i dialogut të Brukselit dhe një lajm shumë i mirë për shtetin tonë dhe qytetarët tanë”.

ITU do t’ia alokojë Kosovës kodin telefonik +383 më 15 dhjetor 2016.

“Konkluzionet e arritura në këtë marrëveshje janë në pajtim të plotë me Marrëveshjen e Brukselit për Telekomin të vitit 2013 dhe Planin Aksional të dakorduar në vitin 2015”, ka theksuar Tahiri.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme