Halil Matoshi gjen punë si profesor në kolegjin që punëson njerëz të pushtetit

Prishtinë | 07 Shk 2018 | 16:17 | Nga

Zyrtari për informim në Qeverinë e Kosovës, Halil Matoshi, ka gjetur një punë të dytë në kolegjin privat “AAB”.

Së fundmi, siç konfirmohet edhe në faqen zyrtare të kolegjit, Matoshi ka nisur punën si profesor në degën e Komunikimit Masiv të këtij kolegji.

Matoshi, si veteran i gazetarisë dhe analist, para zgjedhjeve të 11 qershorit të vitit të kaluar, i ishte bashkuar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për të kandiduar si deputet në Kuvendin e Kosovës. Ai ishte kritik i ashpër i pushteteve të mëhershme, por kur vendosi t’i hynte politikësh kishte thënë se “i kam besuar Rugovës, tash i besoj Haradinajt”.

Meqë nuk ia doli të bëhej deputet, shefi i tij Haradinaj u përkujdes që Matoshin ta emëroj si zyrtar të informimit në Qeverinë e re. Frytet e pushtetit, Matoshi po i korrë edhe tani, kur i është ofruar mundësia që të ligjërojë në kolegjin privat.

Kolegji “AAB” vazhdimisht ka punësuar zyrtarë qeveritarë në stafin akademik dhe njerëz të afërt me pushtetin, si nga PDK e LDK, ashtu edhe nga parti tjera, edhe pse më rrallë.

Janë dhjetëra profesorë që ligjërojnë ende në “AAB”, që kanë qenë apo që janë ende pjesë e partive politike.

Ramë Buja, i cili dikur ishte pjesë e PDK-së dhe ministër i Arsimit, ligjëron ende në këtë kolegj, në degën e Komunikimit Masiv. Ligjërues në këtë kolegj dhe në këtë degë e gjen edhe Gent Begollin, i cili është zyrtar i AAK-së dhe ishte drejtor në Komunën e Prishtinës për shërbime publike.

Kolegji ligjërues ka mbledhur edhe nga Radio Televizioni i Kosovës. Është vet drejtori i RTK-së Mentor Shala ai që ligjëron edhe në këtë kolegj krahas punës së tij në RTK. Gazetari i RTK-së Zija Rexhepi po ashtu ligjëron në degën e komunikimit masiv, e po ashtu edhe gazetari Berat Miftari. Ligjërues në këtë degë e gjen edhe këngëtarin Hekuran Krasniqi. (Periskopi)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme