Haliti thotë se përkundër humbjes së shumicës në Kuvend, proceset nuk do të bllokohen

Prishtinë | 10 Pri 2018 | 15:57 | Nga

Pas daljes së Listës Serbe nga qeveria, koalicioni qeverisës e ka humbur shumicën parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Në vazhdimësi të punës së Kuvendit të Kosovës ka pasur vështirësi në miratimin e ligjeve për shkak të abstenimit apo edhe votës kundër nga deputetët e opozitës, dhe tani që koalicioni që qeverisë me vendin ka dhjetë vota më pak, ky proces duket të jetë edhe më i vështirë, shkruan lajmi.net.

Por kështu nuk mendojnë nga Partia Demokratike e Kosovës. Deputeti nga rradhët e kësaj partie, Xhavit Haliti i cili është edhe nënkryetar i Kuvendit, ka thënë për lajmi.net se megjithë faktin që nuk ka qëndrim zyrtar nga partitë opozitare për qëndrimet e tyre sa i përket proceseve në Kuvendin e Kosovës, ai beson se nuk është në interes të asnjërës palë që të punojë kundër interesave të qytetarëve.

“Besoj që as pozita dhe as opozita nuk janë të interesuar që të bllokojnë interesat e qytetarëve, ne duhet të punojmë konform interesave të tyre”, thotë Haliti.

Ai shton se pavarësisht kësaj, kjo çështje varet edhe nga zhvillimet në Kuvendin e Kosovës dhe projektligjet që dërgohen për miratim.

“Edhe pse asgjë s’ka zyrtare as nga pozita as nga opozita, kjo do të varet nga zhvillimet, në qoftë se nuk është shumica për të votuar atëherë dihet ajo punë”, shton ai.

Haliti thotë se çështjet politike që lidhen me atë se kush do të qeverisë, janë çështje të tjera dhe ndaras këtyre, në Kuvend duhet të zhvillohet një debat dhe proces i mirëfilltë në interes të qytetarëve të Kosovës.

“Çështjet tjera politike që kanë të bëjnë me atë se kush do të qeverisë, janë çështje tjera, unë besoj që edhe pozita edhe opozita sa i përket miratimit të ligjeve në interes të qytetarëve dhe çështjeve që kanë të bëjnë me debatet prap në interes të qytetarëve do të zhvillohen dhe do të jenë normale”, përfundoi Haliti.

Ndryshe, pas daljes së Listës Serbe nga Qeveria e Kosovës, zyrtarë nga opozita kanë paralajmëruar se së shpejti do të ndërmarrin veprime konkrete për ngritjen e një mocioni mosbesimi, pasi që sipas tyre, qeveria aktuale me humbjen e shumicës në kuvend, e ka humbur edhe kredibilitetin e saj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme