Hapat për shfuqizimin e Speciales

Prishtinë | 03 Jan 2018 | 08:15 | Nga

Deputetët, të cilët me anë të 43 nënshkrimeve iniciuan kërkesën për shfuqizimin e Ligjit të Gjykatës Speciale para rreth dy javësh, nuk kanë hequr dorë nga qëndrimi i tyre.

Përkundrazi, ata konsiderojnë se Kryesia e Kuvendit e ka shkelur Kushtetutën meqë nuk ka thirrur seancë të jashtëzakonshme (më 22 dhjetor, ditën kur u mblodhën nënshkrimet) me pretekstin se nuk ka pasur kuorum, shkruan “Zëri”.

Edhe njohësit e punës së legjislativit në Kosovë e pohojnë të njëjtën gjë, me ç’rast thonë se arsyetimi për mungesë kuorumi nuk qëndron. Ndërkohë, sa i përket shfuqizimit të Speciales ata kanë bërë të ditur se ekzistojnë disa hapa që duhet ndjekur, të cilët ndër të tjera përfshijnë edhe ndryshimet kushtetuese. E përderisa LDK-ja është e prerë që të mos e mbështesë kërkesën për shfuqizimin e Gjykatës në fjalë, përfaqësuesit e lëvizjes “Vetëvendosje” thonë se LVV-ja ka qëndrim të njëjtë si më 2015-ën dhe se shfuqizimi duhet të bëhet në bazë të normave parlamentare. Megjithëkëtë, anëtarë të Kryesisë së Kuvendit kanë thënë se ende nuk ka ndonjë njoftim se kur mund të mbahet mbledhja për ta caktuar seancën e kërkuar për shfuqizim të Speciales.

Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, emri i të cilit figuron i pari në listën e atyre që kërkuan shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ka vlerësuar se Kryesia e Kuvendit ka shkelur Kushtetutën meqë nuk ka thirrur seancën atëherë kur është kërkuar nga deputetët. “Ne kemi kërkuar seancë, seanca është dashur të kërkohet të mblidhet më 22, atë nuk e ka bërë Kryesia, ka bërë shkelje të Kushtetutës. Nënshkrimet janë obligative për Kryesinë që të thërrasë mbledhje të jashtëzakonshme. Me kuorum ose pa kuorum kryetari duhet ta thërrasë mbledhjen. Shkelja e kësaj është bërë”, ka deklaruar ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme