Haradinaj: Dua të marr përgjegjësi, ta udhëheq vendin

Prishtinë | 17 Maj 2017 | 00:52 | Nga

Derisa AAK-Nisma arritën marrëveshje parazgjedhore me PDK-në, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, nuk e ka fshehur se se ka ambicie të bëhet kryeministër i Kosovës.

“Dua të marr përgjegjësi të drejtoj vendin”, tha ai, duke folur në emisionin “Opinion” në TV Klan.

Lideri i AAK akuzoi qeverinë “Mustafa” se ka punuar në dëm të Kosovës dhe ishte ngjarje e lirë që kjo qeveri u rrëzua. Sipas tij, demarkacioni dhe Asociacioni janë gabimet kryesore të Mustafës.

Ndërsa Fevziu i kujton se qeveria e drejton partia e parë që fiton zgjedhjet, ai tha se VV dhe PDK nuk janë para AAK me vota.

“S’jemi larg njëra tjetrës. Edhe ne kemi përkrahje gjithnjë në rritje”, u shpreh ai, duke shtuar se ishte i hapur edhe për koalicione. “Deri tani jemi në koalicion me Nismën por jemi të hapur edhe për partitë e tjera”, shtoi ai.

Ndërsa pyetjes nëse AAK vazhdon të jetë e fortë në Dukagjin dhe e dobët në Prishtinë, ai tha se “është e vërtetë që AAK po fiton terren edhe në zonat e mëdha urbane të Kosovës…”.

PDK-ja ka dorëzuar sot pak para mesnatës aplikimin për koalicion me 13 parti të tjera, në mesin e të cilave janë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Zhvillimi i papritur, futja në një listë e AAK-Nismës me PDK-në, duket se erdhi pasi LDK-ja më herët hyri në koalicion me AKR-në, duke ia rrezikuar primatin e partisë së parë PDK-së.

Më herët, gjatë ditës, kreu i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, nënshkroi marrëveshje me rreth 10 parti të tjera të vogla, si PD, PShDK, Lëvizjen për Bashkim, ADK-në, Ballin, Partinë Liberale etj.

Sipas burimeve, bartës i listës do të jetë Kadri Veseli, kurse Ramush Haradinaj kandidat për kryeministër.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme