Haradinaj flet për ftesat në ShBA, thotë se kredibiliteti i Thaçit është dëmtuar

Prishtinë | 31 Dhj 2016 | 17:27 | Nga Faton Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka konfirmuar se do të marrë pjesë në dy ngjarjet që lidhen me presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Haradinaj është i vetmi nga liderët kosovarë që është ftuar në “ngjarjet përcjellëse” të inaugurimit të presidentit Trump, që mbahet më 20 janar, dhe në Lutjet e Mëngjesit.

Në një intervistë për “Ekonomia Online”, Haradinaj thotë se presidenti Hashim Thaçi nuk po e ushtron rolin e tij të përfaqësimit në politikën e jashtme. Mes arsyeve, ai përmend “ngjarjet që e presin Kosovën në pranverën që po vjen, që e vështirësojnë ushtrimin e funksioneve”, duke aluduar qartë në fillimin e punës së Gjykatës Speciale. Sikur dihet, një nga emrat e përfolur kundër të cilit mund të ngritet aktakuzë është dhe Thaçi, ish-shefi politik i UÇK-së.

“Është pritur që do të ketë vështirësi, pengesa për Presidentin. Arsyeja vjen edhe prej mënyrës së sjelljes, ndarjes, ai nuk e bashkoi, nuk mbërrijti një unitet në vend. Ishte figurë që ndau vendin. Pastaj janë edhe arsyet tjera që i dimë të gjithë, që e presin Kosovën në pranverën që po vjen, që e vështirësojnë ushtrimin e funksioneve”, tha Haradinaj.

“A mund ta qartësosh? Po flisni për Gjykatën Speciale?”, u pyet Haradinaj nga Ekonomia Online.

“Nuk kisha hyrë në detaje, ka plot rrethana që e bëjnë të vështirë. Një problem për institucionet e Kosovës, për kredibilitetin e presidentit, kryeparlamentarit, kryeministrit është dhe Raporti i Progresit, i cili e vlerëson aq dobët gjendjen në rend dhe ligj, korrupsion të rritur, korrupsion që është kthyer në fenomen, në mungesë të shumë aspekteve të tjera që nuk janë respektuar”, thekson ai.

“Zakonisht kur je kaq i dobët me punë të tua, nuk të respektojnë jashtë, ai që je të reflektojnë. Pra, është bukur zor me depërtu si president”.

Ndërsa duke komentuar një nga vizitat e pakta të presidentit Thaçi, ku ai pritet nga nivelet më të larta shtetërore – vizita e fundit në Turqi, Haradinaj thotë se nuk e kupton arsyen dhe qëllimin e kësaj vizite.

Ndërsa për ftesat që kanë ardhur për të si lider i AAK-së nga SHBA-ja, Haradinaj thotë se nuk është befasuar aspak. Por, është befasuar me reagimin e disa zyrtarëve nga pozita.

“U habita me një debat që u hap në Kosovë, unë jam i ftuar si person, ky nuk është ofendim i shtetit… Unë s’kam pasur ndonjë rol në proceset zgjedhore në Amerikë. Ne si parti e qendrës së djathtë mbrojmë parimet dhe bindjet që kemi. është ndoshta një vlerësim i punës sime, aleancës nga organizata, të cilat atje kanë peshë. Organizata “Voto djathtas”, që me ka thirrur, zëvendësi i dytë i kësaj organizate është anëtar i Komitetit PIC ( Presidential Inaugural Committee), dhe jam i ftuar në ceremonitë kyçe, që nga ajo kryesore e deri te ato përcjellëse”.

“Unë jam personalisht i ftuar, jo me e përfaqësu Kosovën, ka pasur raste kur kanë shku edhe këta të tjerët. Për mu nuk janë befasi ftesat, jam i ftuar edhe te Lutjet e Mëngjesit, edhe aty Presidenti mban fjalën. Ftesa është e nënshkruar prej 200 anëtarëve, si republikanë ashtu dhe demokratë. Pra, të dyja janë ftesa që paraqesin një respekt, një seriozitet. I kam mirëpritur të dyja, i kam pranuar dhe do të marr pjesë”.

“Qe, sot një koleg i imi ka aplikuar për vizë online për mua. Më ka ra pak keq se janë ditët e pauzës kur po hyjmë në Vit të Ri po do të bëj përpjekje me i mbërri në të dyjat”.

“Unë kur shkoj në Amerikë nuk bëj politikë kundër partive të tjera dhe s’ka pse me i kapë paniku këta të tjerët. Bisedat që i kam bë kurrë s’jam anku për këta të mitë”, shprehet Haradinaj.

“Shkoj atje me i kërku Washingtonit me e vazhdu përkrahjen për Kosovën, në planin e jashtëm se pa përkrahjen e tyre është vështirë me ec, me marrë njohje, me u anëtarësu në organizata të caktuara, me ecë kah NATO. Në siguri pa përkrahjen e Amerikës, me u votu ushtria është mjaft zor; e me të pranu në procese të partneritetit për paqe të NATO-s. E unë shkoj me e lyp këtë, me ju thanë për ndihmë. Shkoj me lyp investime amerikane në Kosovë”.

“Sa herë që kam shku, me para të mia e me vështirësi se s’mi mbulon shteti këto vizita, në të cilat iu bëhem barrë komunitetit tonë, shqiptarëve atje, e shfrytëzoj me sjell diçka për Kosovën. Jam habitur me disa reagime të tyre. Është ofendim edhe për Amerikën, se nuk është mirë me thanë që kjo ftesë nuk është me rëndësi. Ata mendojnë që po me ofendojnë veç mu po s’duhet me harru që ka njerëz atje që preken nga këto fjalë”, thotë mes tjerash lideri i Aleancës.

Intervista e plotë do të publikohet pas Vitit të Ri.

ramush-haradinaj-ekonomia-onlinee
ramush-haradinaj-ekonomia-online11

Të ngjashme