Haradinaj: Goranët meritojnë ta kenë Komunën e tyre

Sharr | 09 Maj 2018 | 15:22 | Nga Donika Osmani

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka qëndruar në Brod të Sharrit, ku iu është bashkuar shënimit të Ditës së Goranëve.

Me këtë rast, Haradinaj tha se Republika e Kosovës ka Kushtetutën e saj më të avancuar dhe më moderne, e cila qartë përcakton të drejtat e secilit komunitet që jeton në Kosovë, pra edhe të komunitetit Goran.

“Kemi biseduar për temat se çka mund të bëjë qeveria nacionale. Kjo është iniciativë e deputetit të nderuar Adem Hoxha, që është deputet goran në parlamentin e Kosovës dhe kam ardhur këtu me propozimin e deputetit që të informohem për gjendjen dhe proceset këtu”, tha Haradinaj.

Kreu i Qeverisë para banorëve të Brodit e Dragashit tha se krijimi i një komune të re, asaj të Gorës nuk është humbje për shqiptarët kudo që janë as në Opojë, as në Prizren apo diku tjetër. “Përkundrazi u mundëson këtyre njerëzve të jetojnë dhe t’i kenë mundësitë për jetë dhe jam përkrahës i një komune në Gorë që jeta të zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Haradinaj theksoi se duhet t’iu sigurohet jetesë më e mirë qytetarëve të kësaj pjese të Kosovës, në mënyrë që mos ta lëshojnë vendin, raporton Ekonomia Online.

Dita e Goranëve është festë që simbolizonin bashkimin, harmoninë dhe mirëqenien. Në këtë manifestim u tha se kjo festë është edhe dëshmi e përpjekjeve të përbashkëta, për ta ndërtuar shtetin e Kosovës.

““Qytetarët e Brodit dhe të kësaj treve të Gorës i kanë shënuar ditët e goranëve. Fillojnë me 6 maj, ato që ne i njohim si Shëngjergji, këta i kanë Gjurgjevdan, i kanë festuar. Simbolika e kësaj feste është e ngjashme me plot rajone të tjera, kur këta banorë që merren me bagëti e blegtori kalojnë në pjesë më të larta e që ne themi me u ngjitë në bjeshkë. Pra është e njëjta traditë”, u shpreh Haradinaj, në një prononcim para gazetarëve.

“Kam ardhur për festën e goranëve dhe për me pa se qysh jetojnë goranët këtu dhe çka mund të bëjmë ne për këtë. Të ju sigurojmë jetesë njerëzve këtu, që mos të shkojnë diku tjetër”, ka thënë Haradinaj.

Edhe deputeti goran i Kuvendit të Kosovës, Adem Hoxha, ka thënë se duhet t’iu sigurohet jetë më e mirë qytetarëve të kësaj pjese në mënyrë që mos të lëshojnë vendin..

Gjatë kësaj vizite, kryeministri bashkëbisedoi me qytetarë të shumtë të kësaj ane.

Të ngjashme