Haradinaj kërkon lidhje më të fortë ekonomike me Mbretërinë e Bashkuar

Prishtinë | 09 Kor 2018 | 18:28 | Nga

Kryeministri Ramush Haradinaj është takuar me ministrin e Shtetit në Mbretërinë e Bashkuar për Tregti Ndërkombëtare, George Hollingbery, të cilit i ka thënë se Kosova dëshiron të forcojë lidhjet me Britaninë në aspektin ekonomik dhe tregtar.

“Zhvillimi ekonomik është prioritet i Qeverisë së Kosovës, andaj praktikat e mira dhe ndihma nga qeveria britanike do të jetë e mirëseardhur për përmirësimin dhe fuqizimin e zhvillimit ekonomik të vendit”, tha Haradinaj.

Sipas njoftimit nga qeveria, Haradinaj ka potencuar faktin se në Kosovë është krijuar klimë e mirë e të bërit biznes, janë ndërmarrë hapa që prodhuesit në Kosovë të jenë të barabartë me prodhuesit rajonal dhe prodhuesit e shteteve të Bashkimit Europian.

Haradinaj po ashtu ka deklaruar se diaspora kosovare në Londër ka treguar suksese në shumë fusha dhe bashkëpunimi në këtë drejtim do të sjellë frymë të re partneriteti ekonomik.

Në anën tjetër Hollingbery ka thënë se Mbretëria e Bashkuar është e interesuar të thellojë bashkëpunimin, dhe Kosovën e sheh si një partner serioz në fushën e ekonomike, veçanërisht në atë të këmbimeve tregtare, sipas njoftimit nga qeveria.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme