Haradinaj: Kryetarëve të komunave u mungon komunikimi komunë-qeveri

Prishtinë | 13 Qer 2018 | 16:12 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në 10-vjetorin e miratimit të rregullativës për pushtetin lokal, njëherësh Jubileut të themelimit të Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), u organizua Konferenca Jubilare e Qeverisjes Lokale me titull “10 Vite pas Decentralizimit dhe Konstituimit të Qeverisjes Lokale – Sfidat e një dekade, rrugëtimi në dekadën e dytë”.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, tha se kryetarëve të komunave iu mungon komunikimi me nivelin nacional – Qeverinë.

“Ne kemi marrë vendime të mira, kemi ra dakord që komunat janë institucione komunale qeverisëse, vendimmarrëse se e kanë asamblenë komunale. I kemi dhënë situatë të fuqishme vendimmarrëse komunave, në ligjin për pushtetin lokal dhe zgjedhjet, komuna te në është e fuqishme. Përvoja që kam unë është se mungojnë instrumentët e komunikimit komunë-qeveri, nuk ekziston ndonjë instrument i mirëfilltë i punës në komunë me qeverinë; është diçka e dëmshme”.

Per Strand Sjaastad, ambasador i Mbretërisë së Norvegjisë, tha se Kosova ka arritur të vendosë një sistem gjithëpërfshirës për qeverisje lokale, raporton Ekonomia Online.

“Kosova ka bërë shumë arritje që nga dita e pavarësisë dhe një nga këto arritje duhet t’i gëzojmë se ju keni arritë të vendosni një sistem gjithëpërfshirës për qeverisje lokale. Në dekadën e radhës Kosova duhet të përfundojë një çështje, të themelojë vizione të përbashkëta mes partive që të koordinojnë çështje nacionale, duke pasur një sistem të qeverisjes lokale”.

“Autoriteti lokal të bëjë reformimin e politikave dhe të ofrojë shërbime gjithëpërfshirëse”.

Jean-Hubert Lebet, ambasador i Zvicrës në Kosovë, tha se problemet lokale duhet të trajtohen në nivel lokal.

“Gjëja e parë në këtë çështje lokale dhe qendrore ekziston një rregull që problemet lokale duhen trajtohen në nivel lokal. Problemet madhore në nivele kombëtare, për ne komunat duhet të kenë autonominë e menaxhimit të resurseve të veta, në 10 vitet e ardhshme Kosova mund të alokojë fonde për komunat. Në 10 vitet e ardhshme nga tani ky alokim mund të marrë parasysh performancën e komunës dhe ata që nuk performojnë duhet të mbështeten me ndonjë asistencë teknike”.

Besnik Muçaj, drejtor ekzekutiv i Institutit KLGI, ka thënë se decentralizimi synonte promovimin e demokracisë lokale dhe akomodimin e komuniteteve jo shumicë.

“Decentralizimi i lidhur me këtë Pako synonte ta promovonte konceptin e demokracisë lokale dhe akomodimin e komuniteteve jo shumicë. Në përgjithësi, komunave me këtë proces u është dhënë autonomi e lartë, shpesh autonomi e cila në zbatim ka hasur në sfida funksionale”.

“Konferenca Jubilare nuk ka për synim të ofrojë zgjidhje të shpejta. Ne vlerësojmë se përmes diskutimeve, rrjetëzimit, dhe nismave që do të dalin nga kjo ngjarje do të arrijmë të sensibilizojmë akterët për rëndësinë e fuqizimit të qeverisjes, dialogut dhe demokracisë lokale; të ndikojmë që niveli qendror dhe ai lokal ta kenë prioritet reformën e qeverisjes lokale, duke e bërë atë sa më efikase dhe funksionale; të kontribuojmë në rritjen e shkëmbimit të informacionit, t’i shërbejmë avancimit të agjendës së reformave evropiane”.

Të ngjashme