Haradinaj: Kufijtë janë vendosur nga lufta e UÇK-së dhe NATO, veç me luftë mund të ndryshohen

Prishtinë | 07 Gus 2018 | 15:23 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë, tha se kufijtë e Kosovës janë vendosur me luftë dhe veç me luftë mund të ndryshohen, raporton Ekonomia Online.

Haradinaj shtoi se është imagjinare të mendohet se Presheva do t’i bashkohet Kosovës, ngase këta kufij janë vendosë nga lufta e UÇK-së dhe nga NATO.

“Kufijtë janë vendosë me luftë veç lufta i luan. Kush kujton se luhen kufijtë ndryshe, gabim është. Të gjithë ka janë shqiptarët me qejf e kishin marr Preshevën, por këta kufij janë vendosë nga lufta e UÇK-së dhe nga NATO. Është e rëndë të tentojë dikush të luajë me kufi, nuk luhet me kufi”.

Sipas kreut të ekzekutivit njohja reciproke është zgjidhja e problemit dhe se vetëm për këtë do ta mbështesin presidentin Hashim Thaçi.

“Ajo që ka mbet mes Kosovës dhe Serbisë ka mbet njohja reciproke në këta kufij pra kjo ka mbet për këtë e mbështesim presidentin, është president i vendit dhe e mbështesim”.

Haradinaj ka deklaruar se lëvizja e kufijve i intereson vetëm presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, i cili sipas tij, ka pasur një rritje të fuqisë viteve të fundit.

“Ai ka një rritje të fuqisë. Na nuk u takojnë hartës së tij, por një botë tjetër që e udhëheq Amerika, kufijtë nuk i lujmë”.

Kreu i Ekzekutivit ka siguruar opinionin publik se aktiviteti i KFOR-it, në liqenin e Gazivodës është aktivitet i zakonshëm.

“Ajo që keni parë në liqenin e Gazivodës është një ushtrim, është një aktivitet i zakonshëm i sigurisë. Nuk duhet askush të shqetësohet, as retorika politike”.

I pyetur nga gazetarët se ka qenë i kërcënuar së fundmi, Haradinaj tha se ndihet shumë i sigurt ndërsa si me shaka tha se janë “do policë që po më ruajnë mirë janë, nuk janë të rrezikuar”.

Të ngjashme