Haradinaj lyp sqarim nga Gjykata Kushtetuese për Fabrikën e Gypave

Prishtinë | 28 Dhj 2017 | 16:21 | Nga

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se nga Gjykata Kushtetuese ka kërkuar sqarime lidhur me obligimet e Qeverisë në zbatimin e Aktgjykimit në Rastin KI-08/09, për punëtorët e Fabrikës së Gypave në Ferizaj.

“Është e domosdoshme që te kemi qartësi në të drejta dhe obligime për zbatimin e vendimeve gjyqësore nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haradinaj, në faqen e tij në Facebook.

Para disa ditësh, ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave të Çelikut në Ferizaj paralajmëruan se do t’iu kthehen protestave përmes të cilave po kërkojnë 26 milionë eurot.

Kryetari i sindikatës së punëtorëve të Fabrikës së Tubave, Ali Azemi, tha se kanë pasur bisedime me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili iu kishte thënë që ta përgatisin një memorandum, por më pas ai nuk i është përgjigjur atyre.

“Ne u zotuam se punëtorët do të pajtohen që kamatën do ta heqim si obligim ligjor që ka qeveria dhe AKP-ja ndaj ekzekutimit të borxhit dhe u dakorduam që këtë mënyrë të lirimit të qeverisë nga kamata ta bëjmë nëpërmjet një memorandumi. Ne memorandumin e bëmë, e dorëzuam dhe e protokoluam dhe aty theksuam që punëtorët pajtohen të heqin dorë nga kamata e borxhit që ishte mbi 25 milionë euro dhe ne atë memorandum e kemi dorëzu. Sipas informatave që kam memorandumi ka kalu në Zyrën Ligjore të kryeministrit dhe në lidhje me këtë shqyrtim të memorandumit është formu një komision, mirëpo përgjigje nuk kemi pas gjerë më tani, për atë arsye ne bëmë një protestë para qeverisë dhe kërkesa jonë ishte që të jepet një përgjigje në lidhje me këtë marrëveshje që patëm me kryeministrin ose me këtë memorandum”, ka thënë Azemi, raporton TV Tema.

Ish-Gjykata Komunale e Ferizajt në vitin 2002 kishte vendosur që punëtorët kanë të drejtë të kompensohen. Në vitin 2010, Gjykata Kushtetuese obligoi Qeverinë e Kosovës dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit që për largim të padrejtë nga puna t’i dëmshpërblejë mbi 900 punëtorët me 26 milionë euro. Kuvendi i Kosovës ka sjellë vendim në mars të vitit 2014, ku parashihet që kompensimi të bëhet në tri faza: në fazën e parë 50 për qind e në dy fazat e tjera nga 25 për qind.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme