Haradinaj mbledh Këshillin për Integrim Evropian, pas 4 vjetësh

Prishtinë | 22 Sht 2017 | 13:22 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thirrur në takim Këshillin Ministror për Integrim Evropian, për të diskutuar me ministrat e dikastereve zbatimin e Agjendës së Reformave Evropiane (ERA).

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se tash e tutje, ky këshill do të mbajë takime të rregullta javore, raporton Ekonomia Online.

Ai i ka obliguar ministrat që të vijnë në takime dhe të raportojnë për përmbushjen e kërkesave që dalin nga ERA. Së fundi është raportuar se ka ngecje edhe në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), si parakusht edhe për liberalizimin e vizave.

“Ju e dini, para pak kohësh, ju drejtohem kolegëve tanë ministra, ju kam drejtuar me letra ministrave përkatës dhe kërkesat që dalin nga Agjenda e Reformave Evropiane që buron nga MSA-ja, e cila për ne është obligim. Kosova duhet në afatin kohor që ka përpara vetes të implementojë këto detyra qeverisëse. Ministrat duhet të vijnë me raportim preciz, por edhe institucionet tjera që ju takojnë detyra, në mënyrë që ne të mund të vërtetojmë që zbatimi i MSA-së është proces që po ndodhë”, ka theksuar kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj ka rikujtuar se dokumenti në fjalë parasheh detyrat e këtij viti, dhe se në fund të vitit do të saktësohen detyrat tjera që dalin nga ky proces.

“Ne kemi deklaruar si partner qeverisës, si koalicion, si Qeveri tanimë, se e kemi prioritet integrimin evropian, MSA-në. Kemi paraparë që me përmbushjen e obligimeve që dalin nga MSA-ja, aplikimin për statusin e kandidatit të Kosovës për anëtarësim në BE, kuptohet që puna është e madhe. Nuk e bëjmë këtë për hatër të BE-së, e bëjmë për të mirën e qytetarëve të vendit, atyre që jetojnë në Kosovë, dhe nga ana ime unë do të jem koleg në këtë temë, si dhe do të kërkojmë që të kemi kolegë dhe të punojmë bashkë me të gjithë mekanizmat e BE-së që punojnë në Kosovë dhe me znj. Apostolova dhe kolegët tjerë”, tha kryeministri.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, theksoi edhe njëherë përkushtimin e Kosovës për integrimet evropiane.

“Për Kosovën, integrimi evropian nuk është alternativë, por është rrugë të cilën e kemi zgjedhur dhe ne duhet të kryejmë detyrat tona dhe të shënojmë progres. Në këtë aspekt, prioritet yni është kryerja e detyrave të dala nga Agjenda e Reformave Evropiane”, tha ministrja Hoxha.

“Roli i Këshillit Ministror është jashtëzakonisht i rëndësishëm në këtë proces dhe kemi shumë punë për të bërë sidomos duke pasur parasysh faktin se Këshilli nuk është mbledhur që nga muaji maj i vitit 2013, si dhe duke marrë parasysh faktin se jemi vonë dhe kemi përmbushur shumë pak nga obligimet e Agjendës së Reformave”, theksoi ministrja Hoxha.

Sa i përket Programeve të BE-së, pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes Kornizë, Ministra Hoxha theksoi se institucionet e Kosovës kanë marrë vendim të aplikojë për anëtarësim në 4 programe. Do të sigurohem se janë ndërmarr të gjitha hapat e nevojshëm për të përfunduar negociatat e anëtarësimit në ERASMUS, COSME, Evropa për Qytetarët dhe Evropa Kreative. Pjesëmarrja në këto programe do të ofroj studentët, akademinë, bizneset, shoqërinë civile dhe komunitetin artistik dhe krijues edhe më afër Bashkimit Evropian, theksoi Ministrja Hoxha.

Ministrja Hoxha po ashtu foli edhe për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit përmes së cilës Kosova për herë të parë hyri në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, dhe kjo duhet konsideruar jo vetëm si sukses por, të jetë edhe shtytje që e njëjta të implementohet suksesshëm dhe të vazhdohet rrugëtimi i Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Po ashtu, edhe hyrja në fuqi e Marrëveshjes Kornizë për Qasje në Programet e BE-së e cila poashtu hapi dyert e bashkëpunimit të mëtejmë dhe rikonfirmon Bashkimin Evropian si partnerin më të madh zhvillimor për Kosovën.

“Do të ndërmarr të gjitha masat për të siguruar se të gjitha institucionet, veçanërisht Ministritë të jenë të vetëdijshme për prioritetet e tyre si dhe për të ofruar përkrahjen e MIE-së në kuadër të këtij procesi. Me këtë rast ju lus që të punojmë së bashku dhe secila Ministri të kryejë në afat sa më të shkurtër obligimet që dalin nga prioritetet e ERA”, theksoi Ministrja Hoxha.

Më pastaj, raportuan ministrat e ministrive përkatëse, drejtuesit e agjensive si dhe përgjegjës institucional, përgjegjës për segmentet e caktuara për procesin integrues.

 

Të ngjashme