Haradinaj merr zyrtarisht postin e kryeministrit me ceremoni solemne

Prishtinë | 11 Sht 2017 | 11:34 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ramush Haradinaj nga sot zyrtarisht është kryeministër i Kosovës. Detyrë e kryeministrit ia dorëzoi Isa Mustafa, i cili e udhëhoqi Qeverinë nga dhjetori i vitit 2014.

Me ceremoni shtetërore të përcjella nga garda ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haradinaj ka mbërritur në zyrën e tij, raporton Ekonomia Online.

Zyrtarë të lartë institucionesh do të marrin pjesë në ceremoninë e dorëzim-pranimit të detyrës.

Mustafa bashkë me stafin e tij ka pritur në Qeveri, kryeministrin e ri të Kosovës, Ramush Haradinajn duke ia dorëzuar kështu detyrën edhe zyrtarisht.

Tashmë, edhe në derën e zyrës e cila e pret sot Ramush Haradinajn është vënë tabela me emrin e tij.

Haradinaj, të shtunën më 9 shtator me 61 vota për dhe një abstenim ka arritur që të zgjidhet kryeministër i shtatë i Kosovës. Ai e mori postin e kryeministrit për të dytën herë.

Haradinaj ishte kryeministri nga data 3 dhjetor 2004 deri më 8 mars 2005, kur dha dorëheqje për t’i përgjigjur procesit gjyqësor në Hagë.

Qeverinë e udhëhoqën edhe Agim Çeku, Bajram Kosumi dhe Adem Salihaj. Ndërsa kryeministër i parë i Kosovës së pasluftës ishte Bajram Rexhepi.

Haradinaj do të udhëheqë 21 dikastere qeveritare. PDK-ja do të ketë më së shumti ministri – pesë dhe zëvendëskryeministër do të jetë Enver Hoxhaj.

Bedri Hamza, do të jetë ministër i Financave; Albelard Tahiri, ministër i Drejtësisë; Uran Ismajli, ministër i Shëndetësisë; Besim Beqaj, do të udhëheqë Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësi; Kujtim Gashi, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Dhurata Hoxha, ministre e Integrimeve Evropiane.

Nisma për Kosovën ka tri ministri. Bajram Hasani do të jetë ministër i Tregtisë dhe Industrisë, Shyqyri Bytyqi do të jetë ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale do të jetë Skënder Reçica. Nismës i takon edhe posti i zv-kryeministrit, që do ta ushtrojë Fatmir Limaj.

AAK-ja ka dy ministri: Pal Lekaj do të udhëheqë Ministrinë e Infrastrukturës, ndërsa Rrustem Berisha atë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kurse nga AKR-ja, Behgjet Pacolli do të jetë zëvendëskryeministër i Parë dhe shef i diplomacisë; Flamur Sefaj do të drejtojë Ministrinë e Punëve të Brendshme, Albena Reshitaj do të jetë ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa Valdrin Lluka do të drejtojë Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Lista Serbe ka vendosur që ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal do të jetë Ivan Teodosijeviq; ministër për Kthim dhe Komunitete do të vazhdojë të jetë Dalibor Jevtiq, i cili në tri mandate ka drejtuar këtë ministri; ndërsa ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të jetë Nenad Rikalo.

Të ngjashme