Haradinaj mirëpret ndryshimet kushtetuese në Maqedoni

Prishtinë | 20 Tet 2018 | 10:01 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri, Ramush Haradinaj, thotë se vota e Parlamentit të Maqedonisë në mbështje të fillimit të procedurave kushtetuese për ndryshimin e emrit, është lajm i mirë edhe për Kosovën e rajonin.

“Vizioni, guximi dhe pjekuria politike e lidershipit dhe popullit të Maqedonisë ishin vendimtare për t’u ngritur mbi të kaluarën jo të lehtë historike, dhe për t’i dhënë fund njërës prej mospajtimeve më të vështira në rajon,” ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Sipas tij, orientimi euro-atlantik i shteteve të Ballkanit Perëndimor është jetik në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Me 80 vota pro Kuvendi në Maqedoni miratoi nismën për ndryshimet kushtetuese. Në fillim të seancës deputetë e VMRO-së kërkuan që të votohet në mënyrë individuale.

Edhe pas votimit individual u konstatua se 80 deputetë kanë votuar pro ndryshimeve kushtetuese.

Me këtë qeveria e Maqedonisë fitoi 15 ditë për të përgatitur amendamentet dhe për t’i kthyer sërish në procedurë parlamentare.

Maqedonia dhe Greqia marrëveshjen e kanë arritur në qershor, dhe me të synohet t’i jepet t’i fund kontestit 27-vjeçar, që kur Maqedonia ka shpallur pavarësinë.

 

Të ngjashme