Haradinaj në Ferizaj, angazhohemi për ekonomi të tregut të lirë

Ferizaj | 29 Maj 2017 | 22:10 | Nga

Kandidati për kryeministër nga PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, ka thënë gjatë një tubimi në Ferizaj se qeveria e drejtuar nga ai do të angazhohet për një ekonomi të tregut të lirë, me politika mbështetëse për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me metoda të granteve dhe subvencionimit, ndryshim të taksave dhe akcizave, me qëllim të përkrahjes, rritjes dhe zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

“Jemi bërë bashkë për Kosovën, për qytetarët e Kosovës, për tu zhvilluar fuqimisht, për të marrë vendime të guximshme dhe të ecim përpara drejt e sigurt. Përmes qeverisjes së ardhshme nuk do të administrojmë me të tashmen, por do të hapim rrugë për një zhvillim të shpejtë ekonomik, i cili mundëson zhvillimin e shtetit, zhvillimin e shoqërisë dhe realizimin e aspiratave të secilit qytetar”, ka shtuar Haradinaj.

“Ne zotohemi për një ekonomi të tregut të lirë, me politika mbështetëse për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me metoda të granteve dhe subvencionimit, ndryshim të taksave dhe akcizave, me qëllim të përkrahjes, rritjes dhe zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, ka theksuar kreu i Aleancës.

Haradinaj: Pagën minimale do ta bëjmë 200 euro, do të jepen edhe shtesa për fëmijë

Image may contain: 1 person, crowd and outdoor

Kryetari i AAK-së, Haradinaj, para ferizajasve ka garantuar dhe rritje të buxhetit dhe projekte të punësimit për të rinj.

“Do të fillojnë shtesat për fëmijë. Pagat minimale do të jenë 200 euro. Do të rriten pensionet dhe do të llogaritet stazhi i punës sepse është ndërpre dhunshëm”.

Haradinaj iu është përgjigjur dhe pyetjeve të qytetarëve dhe ka biseduar për problemet dhe hallet me të cilat ata përballen.

Ai tha se nuk do të lejohen lëvizje të cilat në emër të fesë shtyjnë agjenda të dyshimta për shkatërrimin e vendit.

Ndërsa kryetari i AAK-së në Ferizaj, Xhavit Zariqi, njëherit kandidat për deputet për zgjedhjet e 11 qershorit, ka paraqitur kërkesat e qytetarëve të Ferizajt, të cilat, sipas tij, megjithëse premtohen vazhdimisht asnjëherë nuk u realizuan.

“Ferizaj kërkon përfundimin e projektit te Ibër-Lepencit si dhe projekti i hekurudhës, i cili shumë herë u fol por asnjëherë nuk u realizua.Si edhe projekti i Spitalit të Ferizajt i cili me vite po zhagitet. Projekt me rëndësi është edhe trajtimi i ujërave të zeza, i cili ende nuk është realizuar dhe Ferizaj me vite po përballet me këtë problem”, ka thënë Zariqi

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme