Haradinaj përmend arbitrazhin për 53 milionët, PSD-ja kërkon publikimin e kontratës me Bechtel Enkan

Prishtinë | 05 Kor 2018 | 14:56 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se nëse jeni kundër vendimit të qeverisë për dhënien e 53 milionëve për Bechtel&Enkan, atëherë mund të shkojnë në arbitrazh, mirëpo përgjegjësia të bie mbi ata që vendosin.

“Nëse thoni që ky është vendim i keq, atëherë vendosni ju dhe po shkojmë në arbitrazh, mirëpo dëmin dhe përgjegjësinë ta merrni ju dhe jo unë. Vërtet jam habitë për këtë duetin Liburn Aliu dhe Lutfi Zharku. Liburn, marre duhet me ju ardhë”, tha ai.

Memli Krasniqi, në emër të grupit parlamentar të PDK-së, tha se fjalimi i kryeministrit ka qenë i drejtë dhe i kuptueshëm për të gjithë.

“Shpjegimet që i ka dhënë kryeministri, të gjithë i kemi marrë vesh dhe kanë qenë të sakta për mënyrën se si kemi ardhur deri te ky problem”.

Liburn Aliu, në emër të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, tha se është e pamundur të heshtet për 53 milionë euro, raporton Ekonomia Online.

“U befasua kryeministri se si LVV është e pozicionuar me LDK-në. Ne nuk jemi pozicionuar me askënd. Shpresën që e kam pasur te qeverisja Haradinaj dhe respektin për të e kam për toke. Nuk mundem me heshtë për ato 53 milionë euro. Raporti i Pal Lekajt thotë se kur e ka pru kontraktori kërkesën për 63 milionë, shuma ka qenë 16.6. Unë nuk e arsyetoj as LDK-në as AAK-në nëse paratë i kanë dërguar nëpër komuna ku ata qeverisin vetë.

Dardan Sejdiu, në emër të grupit parlamentar të PSD-së, tha se duhet të publikohet kontrata mes Bechtel Enkas dhe qeverisë.

“Është e pakuptimtë që ne të flasim për një kontratë që asnjëherë nuk e kemi parë. Ka ekzistuar një marrëveshje për 14.7 milionë euro dhe kjo nuk është finalizuar dhe për periudhën kohore të kaluar kjo është shumëzuar dhe është bërë 53 milionë euro. Publikoje kontratën ministër, sepse ato janë paret e popullit, t’i shohim të gjithë pagesat e të gjitha e pastaj të shohim se si ta trajtojmë këtë punë. Janë shpenzu 2 miliardë euro edhe na thoni që nuk publikohet kontrata”.

Shkumbin Demalija, në emër të grupit parlamentar të AAK-së, tha se Bechtel Enka nuk është organizatë humanitare, raporton EO.

“Me Ramush Haradinajn dhe Pal Lekajn nuk mundet m’u shty kërkosh. Ne e dimë se kemi pjesëmarrje të vogël në Qeveri, jo forcën fizike po të mendjes, dhe puna që bëhet në këtë Qeveri nuk ka nevojë Ramush Haradinaj për respektin e askujt. Bechtel Enka nuk është organizatë humanitare, kjo qeveri e kaluar e Isa Mustafës që kurrë nuk na thanë deputetët për gjendjen e tij shëndetësore i cili kurrë nuk u kanë i smutë, ka shku në Gjermani me aeroplan, ka shku me krejt familjen, u tërheq për shkak të kontratave të këqija që i ka bë ky kryeministër. Prej depresionit dhe presionit të keqmenaxhimit është sëmurë”.

Bilall Sherifi, në emër të grupit parlamentar të Nismës Social Demokrate, tha se duhet të dalë përgjegjësi kryesor sepse 53 milionë euro janë para të popullit.

“Duke pasë parasysh se si qeverisin kompanitë e mëdha, ato nuk falin. Me konfirmimin e vetë ministrave u konfirmua se ka pasur zhagitje në qeverisjen e kaluar. Unë propozoj një auditor të jashtëm dhe të shikoj se çfarë ka ndodhur lidhur më përgjegjësin real të kësaj vepre”.

 

Të ngjashme