Haradinaj pret Cooperin, e domosdoshme përfshirja e ShBA-së si garantuese në dialog

Prishtinë | 28 Nën 2017 | 17:05 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim zëvendës ndihmës sekretaren e mbrojtjes së SHBA-së, Laura Cooper, me të cilën bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, proceset integruese të vendit dhe sfidat në fushën e sigurisë.

Haradinaj theksoi rëndësinë e pranisë ushtarake e diplomatike të SHBA-së në Kosovë dhe rajon si një faktor të stabilitetit dhe paqes dhe posacërisht vlerësoi mbështetjen që SHBA-ja vazhdon t’i jap Kosovës në ndërtimin e një shteti demokratik e gjithëpërfshirës.

Kryeministri Haradinaj tha se me dinamikën e re qeverisëse Kosova po përshpejton zbatimin e reformave në vend në fusha të ndryshme, posaçërisht atë të sundimit të ligjit dhe të rendit dhe në zhvillimin ekonomik.

Ai tha se konsolidimi ndërkombëtar dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare i Kosovës, përfshirë mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, me qëllim të adresimit të sfidave të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, është me rëndësi të veçantë për të krijuar stabilitet dhe theksoi se ndihma e SHBA-së në këtë fushë është e domosdoshme.

Kryeministri Haradinaj theksoi se Kosova po ndërton fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit dhe është angazhuar në procesin e dialogut me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve. Ai tha se dialogu duhet të riformatohet dhe afatizohet duke sjellë një rezultat përfundimtar konkret, atë të njohjes reciproke ndërmjet dy shteteve.

Haradinaj tha se në fazën përfundimtare të dialogut dhe në përmbyllje të tij është e domosdoshme përfshirja e SHBA-së si garantuese e procesit së bashku me BE-në.

Duke folur për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura, kryeministri Haradinaj theksoi se po bëhen përpjekje në këtë drejtim brenda kuadrit kushtetues të vendit, në bashkëpunim ndërinstitucional dhe me komunitetet dhe se ky proces do të bëhet në koordinim të ngushtë me SHBA-në.

Ai tha se FAK do të jetë një forcë e ndërtuar mbi standardet ndërkombëtare, shumëetnike dhe e profesionalizuar.

Kryeministri theksoi rëndësinë edhe të pjesëmarrjes dhe kontributit të FSK-së në Operacionet Paqeruajtëse.

Zëvendës ndihmës sekretarja e mbrojtjes e SHBA-së, Laura Cooper, tha se SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështesë dhe të qëndrojë përkrah Kosovës në të gjitha proceset e saj.

Haradinaj pret në takim zyrtaren e lartë të Mbrojtjes së ShBA-së

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim Zëvendësndihmës Sekretaren e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Laura Cooper.

Mediet kanë mundur të marrin vetëm pamje nga takimi, ndërsa për temat e takimit pritet të lëshohet një komunikatë shtypi.

Zyrtarja amerikane, gjatë ditës së djeshme, pati takim me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Sikur ka njoftuar Zyra e Presidentit, temë e takimit ishte transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në ushtri, për çka faktori ndërkonbëtar po kërkon të bëhet nëpërmes ndryshimeve kushtetuese.



Të ngjashme