Kryeministri Haradinaj pret në takim kryeshefin e MCC-së, Jonathan Nash

Prishtinë | 20 Nën 2017 | 16:20 | Nga Valbona Bytyqi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë ditës ka pritur në takim kryeshefin ekzekutiv të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Jonathan Nash.

Mediet kanë mundur të marrin pamje nga takimi. Ndërsa nëpërmes një komunikatë shtypi të Zyrës së Kryeministrit janë dhënë detaje rreth temave të diskutimit, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri Haradinaj me këtë rast falënderoi Jonathan Nash dhe SHBA-të për kontributin e gjithanshëm që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për popullin dhe shtetin e Kosovës, duke thënë se Qeveria e Kosovës do të punoj fuqishëm në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, përshpejtimin e projektit të Termocentralit “Kosova e Re”, dhe aspekte tjera me rëndësi për vendin.

 “Populli i Kosovës do të jetë përherë mirënjohës për ndihmën që populli amerikan dhe SHBA-të, kanë dhënë për Kosovën”, tha kryeministri Haradinaj.

Zyrtari Kryesor Operues i MCC, Jonathan Nash, falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritjen, duke vlerësuar përkushtimin e tij në agjendën shtetërore.

Më tej, Nash tha se ndihet mirë që ishte i pranishëm në lansimin e Fondacionit të Korporatës së Mijëvjeçarit në Kosovë, dhe vlerësoi se Qeveria e Kosovës ka qenë partner në këtë rrugëtim duke mirëpritur thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit.

Gjatë ditës zyrtari kryesor operues i Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), Jonathan Nash bashkë me kongresmenin amerikan Eliot Engel lansuan “Programin e Pragut të Kosovës”, të nënshkruar në shtator.

Programi i Pragut i MCC-së për Kosovë përkrahë përpjekjet e Qeverisë për të ulur shpenzimet e energjisë në ekonomi familjare dhe biznese, dhe për të përmirësuar transparencën dhe llogaridhënien me përqendrim në reformat institucionale dhe të politikave.

Zyrtari Kryesor Operues i Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), Jonathan Nash, më herët premtoi se Kosova do ta ketë përkrahjen e SHBA-së në këtë drejtim.

Të ngjashme