Haradinaj propozon ngritjen e senatit Kosovë- Shqipëri

Prishtinë | 13 Qer 2017 | 09:54 | Nga

Kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj ka komentuar deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që thanë se nëse shqiptarëve do t’u mungojë perspektiva europiane, opsioni i tyre do të ishte bashkimi.

“Ndjenjën për të qenë bashkë ne e kemi të shkuar, të tashme dhe të ardhme. E kemi një ndjenjë të përjetshme. Por në çfarë mënyrë do të jemi bashkë? Nëse perspektiva jonë europiane do të na ndërlidhë, nuk kam dëshirë të them fjalë para punëve. Ne kemi interes që të lidhemi më shumë mes njëri-tjetrit, të kuptohemi me njëri-tjetrin. Si shembull, bashkëpunim në fushën e tregtisë, të turizmit, arsimit dhe të unifikojmë shumëçka”, thotë ai në Top Story.

Haradinaj propozon edhe ngritjen e një senati të përbashkët.

“Mund të kemi një senat të përbashkët, mes Shqipërisë dhe Kosovës, ashtu siç është Parlamenti Europian, qoftë të zgjedhur, qoftë të deleguar. Mund ta gjejmë një formulë që të unifikojmë gjërat që nuk pengojnë në rendet kushtetuese të vendeve tona”, deklaroi ai.

Sa i takon ndikimit rus…

“Ndikimi rus nuk depërton tek shqiptarët, por mund të ndikojnë tek marrëdhëniet tona me të tjerët në rajon”, shprehet Haradinaj.

Në fund, kandidati për Kryeministër i Kosovës shprehu optimizmin që nëse do të arrijë të formojë qeverinë vendin e presin ndryshime të mëdha.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme