Haradinaj: Qe një muaj po tregojmë pse ekziston Aleanca

Prishtinë | 16 Tet 2017 | 18:05 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, gjatë një tubimi zgjedhor në “Kodrën e Trimave” ka thënë se kjo lagje e madhe e kryeqytetit, nga pushtetet e kaluara, është shfrytëzuar vetëm për votë.

Në tubimin ku është prezantuar kandidati i Aleancës për kryetar të Prishtinës, Arbër Vllahiu, Haradinaj ka thënë se me të marrë drejtimin e Qeverisë e ka dërguar në Kuvend Ligjin për Kryeqytetin, i cili do t’i japë shtytje zhvillimit të Prishtinës.

“Ligji për Kryeqytetin krejt kanë menduar që është vetëm një ide. E ai ligj sot është në Kuvend. Kapaciteti funksional i Prishtinës do të dyfishohet”, është shprehur kreu i Qeverisë, raporton Ekonomia Online.

“Derisa nuk ia kemi nisur punës e kam pasë të vështirë me kallxu pse ekziston Aleanca. Ka nja 30 ditë që është kah tregohet se pse ekzistojmë. E na ekzistojmë për të drejtat e qytetarëve tanë. Kjo është kauza jonë”, ka thënë lideri i AAK-së.

Në këtë tubim, Haradinaj e ka përsëritur premtimin për rritjen e pagave në sektorin publik, duke filluar nga 5 % në fillim të mandatit për të vazhduar gradualisht deri në 30 për qind. Shefi i Qeverisë ka shpjeguar se kjo duhet të bëhet paralelisht me rritjen e buxhetit të shtetit.

Haradinaj e ka lavdëruar kandidatin e AAK-së, këshilltarin e tij, Arbër Vllahiu, si një njeri të qëndrueshëm ; kurse për bartësin e listës, Gent Begolli, ka thënë se “është djalë i zoti e i shkolluar”.

Ai ka kërkuar nga banorët e Kodrës së trimave që këtë të diel të votojnë për AAK-në për të vazhduar ndryshimin dhe punën e mirë që AAK-ja po bën në nivel qendror.

Sipas tij, kjo lagje nga pushtetet e deritanishme “është selektuar veç për votë”.

E kandidati Arbër Vllahiu ka thënë se jeta në “Kodrën e Trimave” pak ka ndryshuar qe sa vjet. “Të tjerët ju kanë parë vetëm si votë. Por, kjo pjesë e qytetit nuk ka me mbetë më e pazhvilluar dhe si zonë e harruar e qytetit”.

Vllahiu ka premtuar ndërtimin e një zone ekonomike për këtë lagje, e cila do të rrisë prodhimin dhe punësimin, nëpërmes partneritetit publik-privat.

Ai, po ashtu, ka premtuar infrastrukturë më të mirë për këtë pjesë. “Do t’ia kthejmë jetën Kodrës së Trimave”.

Mes tjerash, me Ligjin për Prishtinën, Vllahiu tha se Pallati i Rinisë do t’i kthehet Komunës së Prishtinës dhe do të ringjallet.

Vllahiu, i cili është këshilltar i kryeministrit, tha se gjatë një muaji qeverisjeje me Haradinajn kemi mësuar se si bëhet shteti.

“Pas 22 tetorit, edhe Prishtina do ta ketë zotin e shpisë për të gjitha fushat e munguara të saj”, ka thënë Vllahiu, teksa ka shtuar se për të sjellë ndryshim në Prishtinë duhet të duash atë.

Të ngjashme