Haradinaj: Qëllimi i strategjisë së sigurisë është të kthehet në kontribuuese për sigurinë e vet

Prishtinë | 20 Gus 2018 | 10:19 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj sot ka marrë pjesë në takimin e parë të Grupit Punues  për draftimin e Strategjisë së Sigurisë së Republikës së Kosovës, strategji kjo që llogaritet si dokumenti më i rëndësishëm për sigurinë e një vendi dhe i cili integron të gjitha dokumentet e mekanizmave që e trajtojnë këtë temë. 

Kryeministri Haradinaj tha se Kosova si shtet në çdo etapë të zhvillimit të saj ka reflektuar në aspektin e sigurisë, me dokumente dhe plane vepruese, të institucioneve të sigurisë.

Më tej kryeministri Haradinaj tha se që nga marrja e përgjegjësive në fushën e sigurisë Kosova ka dëshmuar përkushtimin si në rendin publik, në inteligjencë, në dogana dhe në institucione tjera. 

Kryeministri Haradinaj duke e vlerësuar si dokumentin më të rëndësishëm në fushën e sigurisë tha se kjo Strategji duhet të reflektojë dhe të përfshijë të gjitha hallkat e sigurisë në të tashmen por edhe objektivat që i ka Kosova për të ardhmen.

“Mendoj se është koha e duhur që të punojmë një Strategji të sigurisë që i përgjigjet një shteti që i merr përgjegjësitë për vete, për siguri, njëkohësisht duke përfshirë në këtë strategji jo vetëm kontributin tonë si vend dhe të institucioneve të vendit, por edhe kontributin e partnerëve, për shkak se strategjia si qëllim na bashkon me partnerët tanë”, tha kryeministri Haradinaj, dhe shtoi se qëllimi i strategjisë është që nga konsumues të sigurisë, Kosova të kthehet në kontribuuese për sigurinë e vet dhe të rajonit.

Duke folur rreth strategjisë së mëhershme, kryeministri Haradinaj tha se strategjia e vitit 2010, na shërben si njohje dhe si bazë, por tani duhet të përfshihen edhe Forcat e Armatosura të Kosovës, doktrina vetëmbrojtëse si çdo vend tjetër, në të njëjtën kohë të integrohet edhe agjenda e integrimit në mekanizmat e sigurisë, që është NATO.

Kryeministri Haradinaj kërkoi nga anëtarët e Grupit punues që të jenë sa më konkret pasi që kjo është strategjia më e rëndësishme për sigurinë në vend.

Haradinaj e mirëpret nisjen e punës për hartimin e Strategjisë së Sigurisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në takimin e grupit punues për draftimin e Strategjisë së Sigurisë së Kosovës.

Në fillim të këtij takimi, Haradinaj mirëpriti nisjen e punës për hartimin e Strategjisë së Sigurisë, raporton Ekonomia Online.

Ai e vlerësoi këtë strategji si reflektim të së tashmes për objektivat që i ka Kosova në të ardhmen.

“Kosova në ndërtimin e vet si shtet ka kaluar disa etapa. Në çdo etapë e ka reflektuar veten edhe në planin e sigurisë me plane vepruese. Përshëndes nisjen e punës për strategjinë si reflektim i së tashmes për objektivat që i kemi”, ka thënë Haradinaj.

Mediet janë lejuar të marrin vetëm pamje nga fillimi i këtij takimi.

Të ngjashme