Haradinaj: Do ta bëjmë “Bondsteelin Ekonomik” në Gjilan

Gjilan | 14 Tet 2017 | 20:18 | Nga

Kryeministri i Kosovës, njëherësh lider i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar ngritjen e një parku industrial në Gjilan, të cilin ai e quajti “Bondsteeli Ekonomik”, ku do t’iu krijohet hapësirë dhe lehtësira kompanive amerikane që do të investojnë në këtë rajon.

Haradinaj i bëri komentet gjatë një tubimi zgjedhor të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës sot në Gjilan. Me këtë rast, ai premtoi se Qeveria e tij do ta ndërtojë autostradën Prishtinë-Gjilan.

“Unë e kam një ide për një park industrial, që unë e kam quajtur ‘Bondsteeli Ekonomik’”, tha Haradinaj, duke e shpjeguar idenë, së pari për emrin, sipas kampit ushtarak amerikan “Bondsteel” afër Ferizajt.

Ai tha se para disa ditësh ka takuar përfaqësues të kompanisë amerikane “Bechtel”, e cila po ndërton autostradën e Kosovës. “Ju thashë se po duam ta bëjmë një park industrial. Ne e bëjmë infrastrukturën si në Amerikë, ju ejani investoni”.

Kreu i Qeverisë tha se krahas ofrimit të lokacionit dhe infrastrukturës, kompanive amerikane do t’iu ofrohej dhe një paketë fiskale dhe lehtësira për investime dhe punësim, ta zëmë të njerëzve nga Lugina e Preshevës. “Këto janë të lejuara, krejt bota i bën”, u shpreh ai.

Në vazhdim Haradinaj ka treguar se tashmë ka marrë dhe një vendim në të mirë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ai tregoi se e ka autorizuar ministrin e Punëve të Brendshme që të lehtësohet procedura për dhënien e lejeve të përkohshme dhe të përhershme për ta.

Në tubimin elektorale në Gjilan, ku ishte dhe një ditë më parë, Haradinaj tha se në Kosovë mund të ndryshojnë gjërat për të mirë, duke filluar nga rritja e cilësisë në arsim, ndërtimi i çerdheve, përmirësimi i shërbimeve shëndetësore, bursa për studentët, përkrahje për bujqit. Ai tha se për këto nuk nevojiten dhe shumë para, por më shumë duhet vullnet dhe punë.

Kreu i AAK-së, në vazhdim, kërkoi votën e gjilanasve për Rexhep Kadriun. “Askush më mirë se Rexha nuk i njeh mirë punët e Gjilanit”, u shpreh ai.

Ai kërkoi mobilizim dhe nga strukturat e partisë dhe përkrahësit që të fitohet qysh në raundin e parë.

Vetë kandidati i Aleancës për kryetar të Gjilanit, Rexhep Kadriu, tha se Kosova tashmë po formësohet çdo ditë si shtet. Sipas tij, ndryshimi ka nisur që ditën e parë që nisi punën kryeministri Ramush Haradinaj. “Tani ndryshimin po e kërkon gjithandej Kosova, në çdo cep”, deklaroi ai.

Sipas Kadriut, 30 ditë të qeverisjes së Haradinajt, janë sa tri vite të Qeverisë së kaluar.

Prandaj, nënkryetari aktual i Gjilanit kërkoi që më 22 tetor të votohet edhe për ndryshimin në Gjilan.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme