Haradinaj: Kosova e gatshme të jetë partner i NATO-s në ofrimin e sigurisë në botë

Prishtinë | 04 Gus 2018 | 12:38 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

“Është nder të ju kemi këtu. Ne ishim në Pentagon dhe jemi munduar ta shpjegojmë historinë tonë, të arriturat tona. Por, ardhja juaj në Kosovë është rast që ju t’i shihni për së afërmi të arriturat tona. Kosova është partner i ShBA-së”, kështu tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pasi priti në takim Gjeneralin Joseph L. Lengyel, Shef i Byrosë së Gardës Kombëtare dhe anëtar i Shtabit të Përbashkët të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, transmeton Ekonomia Online.

Në takimin ku mediet u lejuan të marrin vetëm pamje, sipas një komunikate nga Qeveria, Zhvillimet e fundit ekonomike dhe politike ishin pjesë e diskutimit aty. Kryeministri Haradinaj e njoftoi Gjeneralin Lengyel, për progresin që ka shënuar Kosova, për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, për orientimin properëndimor dhe euroatlantik dhe për procesin e tranzicionit të FSK-së në Forcë të Armatosur.

“U jemi mirënjohës ShBA-së për ndihmën e dhënë deri më tani në rrugën tonë drejt lirisë dhe në procesin e ndërtimit të paqes. Çka do që është arritur në Kosovë është një punë e përbashkët. Jemi optimist për të arriturat dhe për orientimin tonë” tha kryeministri Haradinaj, duke kërkuar mbështetjen e mëtutjeshme të ShBA-së në procesin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, transformim ky që, sipas komunikat, sipas komunikatës, do t’i kontribuonte stabilitetit në vend dhe rajon.

Kryeministri Haradinaj tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është forcë profesionale dhe multietnike ku janë të përfshira të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe e gatshme që të jap kontributin e saj edhe në misione jashtë vendit.

“Kosova është shtëpi e të gjithëve. Ne kemi bërë punë të mirë brenda FSK-së duke përvetësuar standarde profesionale, duke i përfshirë minoritetet dhe duke bashkërenduar veprimet tona në partneritet me aleatët tanë”, tha Kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Kosova nga absorbuese e sigurisë tani është kthyer në faktor stabiliteti për siguri, duke qenë bashkëpunuese në të gjitha nismat rajonale të Ballkanit Perëndimor dhe është e gatshme që të shndërrohet në ofruese e sigurisë në misionet e NATO-së në botë.

“Ne kemi punuar shumë që të arrijmë në këtë fazë, për të qenë të gatshëm të bëhemi partner dhe të krijojmë marrëdhënie bilaterale edhe në fushën e sigurisë”, ka shtuar Kryeministri Haradinaj.

Nga ana e tij, Shef i Byrosë së Gardës Kombëtare dhe anëtar i Shtabit të Përbashkët të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjeneralin Joseph L. Lengyel, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës duke thënë se ShBA-ja do të vazhdojë të mbështes Kosovën.

Në këtë takim, Kryeministri Haradinaj e nderoi Gjeneralin Lengyel me hartën e Kosovës, si shenjë respekti dhe nderimi për kontributin e tij dhe ShBA-së në proceset me interes për Kosovën.

Pjesë e këtij takimi ishin edhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, Gjeneral Lejtënant, Rrahman Rama dhe Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie.

Të ngjashme