Haradinaj takon sportistët, iu premton mbështetje

Prishtinë | 16 Tet 2017 | 19:48 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në një takim me klubet e sportistëve, të organizuar nga kandidati i AAK-së për Kuvend Komunal të Prishtinës, Kushtrim Mushica.

Sportistët patën rastin të dëgjojnë nga Mushica dhe kandidati për kryetar të Prishtinës, Arbër Vllahiu, plan-programin për qeverisjen e sportit të Prishtinës në katër vitet e ardhshme.

Premtim për përkrahje, ata morën dhe nga kryeministri. Ai tha se e kupton gjendjen jo të mirë të sportit në Kosovë.

“Dijeni se një prej jush e keni në Qeveri. Do ta vërtetojmë gjatë rrugës. Ende nuk ka folur puna, por shpejt do të shihni rezultate”, u zotua ai.

Ndër punët e para që ka bërë me të marrë drejtimin e Qeverisë, Haradinaj tha se ka shikuar pse nuk po zbatohet Ligji për Sponsorizim, i cili është miratuar më herët, dhe do të ishte një ndihmesë për klubet sportive.

“Jam interesuar menjëherë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Administratën Tatimore, e cila duhet t’i ndryshojë disa rregulla, që Ligji për Sponsorizim me ndodhë”, tha Haradinaj.

Kurse, Arbër Vllahiu tha se ka ardhur koha që të mbështeten sportistët dhe klubet e kryeqytetit.

Ai ka premtuar rehabilitim dhe revitalizim të stadiumeve të Prishtinës, ndërtim të terreneve me barin sintetik, qendër sportive në Prishtinë, terrene rekreacioni në çdo kënd të qytetit. “Kaq shumë talentë që ka Prishtina dhe ne do t’i bëjmë pjesë të pandashme të qytetit”.

E ish-portieri i mirënjohur, Kushtrim Mushica, i cili kandidon për një ulëse në Kuvendin e Prishtinës, tha se promovimi i një vendi bëhet përmes sportit. “Jo rastësisht, neve sportistëve na quajnë ambasadorë”, u shpreh ai.

Ai beson se ditë më të mira për vijnë për sportistë, pasi në krye të Qeverisë është një sportdashës. Kurse për Vllahiun ka thënë se ka një program të mirë për sportin nëse e merr drejtimin e Komunës së Prishtinës.

Të ngjashme