Haradinaj thotë se i dha leje Rikalos të largohet nga Kuvendi

Prishtinë | 03 Tet 2017 | 11:49 | Nga Kaltrina Zymberi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, ka pasur pyetje për ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikallo, i cili pak më parë e kishte lëshuar kuvendin.

Kryeministri Ramush Haradinaj tregoi se ai i dha leje atij që të largohet për t’u kthyer më vonë.

“Ju ministër keni thënë se keni pasur një jetë të qetë në lagjen tuaj, pse atëherë po drejtohen këto akuza pikërisht ndaj jush?”, pyeti deputeti Krasniqi ministrin Rikaol.

“Cili ka qenë roli juaj në luftë dhe roli i familjes suaj, dhe çka nënkuptoni ju me atë që keni pasur jetë të qetë në vitin ’99, kur ndaj shqiptarëve ushtrohej represion”, shtoi deputeti i VV-së.

Haradinaj tha se e liroi vetë Rikalon, pasi që ishin bërë gati që ministri të jetë i pranishëm në interpelancën që do të mbahet për akuzat ndaj tij.

Deputeti i VV-së i ka thënë kryeministrit Haradinaj se po i del në mbrojtje ministrit të akuzuar për tortura të banorëve të lagjes “Dardania”, në vend se ta shkarkojë.

Haradinaj edhe një herë përsëriti se lirimin e Rikalos nga seanca e bëri sepse nuk e ka ditur se do të ketë pyetje para interpelancës.

Interpelanca në lidhje me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, pritet që të zhvillohet në seancën e sotme të kuvendit.

Disa qytetarë të lagjes “Dardania” në Prishtine, kanë akuzuar Rikalon, për dhunim dhe maltretim gjatë luftës në Kosovë, akuza të cilat ai i ka mohuar.

 

Të ngjashme