Haradinaj: Zbatimi i MSA-së sjell liberalizimin dhe statusin e vendit kandidat

Prishtinë | 05 Tet 2017 | 10:28 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Ramush Haradinaj ka kryesuar takimin e Këshillit për zbatimin e Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile.

Haradinaj ka vlerësuar lart kontributin e shoqërisë civile në zhvillimin e vendit, raporton Ekonomia Online. Por, ai ka kërkuar nga shoqëria civile të jenë të pavarur e mos “ta përkëdhelin” qeverinë.

“Ne jemi demokraci e re dhe qeveria është e re sapo është formuar, dëshirojmë të pasurohemi më tutje, por edhe ajo që na intereson tuje është strategjia. Unë pres që ju të jeni vetvetja, ta ruani pavarësinë e tuaj, sepse ne nuk e vlerësojmë përkëdheljen”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri në fjalën e tij ka përmendur si sfidë moszbatueshmerinë e ligjeve si dhe korrupsionin e lartë, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë që ai e drejton, për ndryshim të kësaj gjendjeje.

Në këtë drejtim, kryeministri ka vlerësuar nevojën që institucionet tona duhet të rrisin aktivitetet që kanë përmbajtje në implementimin e politikave në interes të drejtpërdrejt të qytetarëve tanë.

Kryeministri Haradinaj është interesuar posaçërisht për idenë e përhapjes së vullnetarizmit tek të gjitha moshat, hap ky që duhet të pasohet me hartimin e ligjit për vullnetarizmin, që sipas Kryeministrit Haradinaj është cilësi e shoqërive të zhvilluara perëndimore.

Haradinaj më tej ka shtuar se zbatimi i MSA-së sjell liberalizimin e vizave dhe statusin e vendit kandidat.

“Nëse të gjithë ne i kryejmë detyrat e shtëpisë, kam besim të madh që Kosova mund të shënojë një përparim të shpejtë, ose një zbatim të shpejtë të MSA-së. Mund të kalojmë në status të kandidatit. Njëkohësisht zbatimi i MSA-së është vetvetiu materia që e sjell liberalizimin e vizave”.

“Ne e dimë që është i lidhur liberalizimi dhe me shënjimin e kufirit me Malin e Zi. Mirëpo, për ketë temë do të përdorim standarde që krejt bota i ka”, tha ai.

“Një marrëveshje që nuk e kanë ratifikuar dy parlamente nuk është marrëveshje e përmbyllur, mbetet projekt marrëveshje. Procedurat e gjetjes së fakteve që i nxjerr komisioni ynë shtetëror prapë është procedurë, standard ky që e vërteton se si ka shkuar një proces paraprak”.

“Dhe pastaj ne nuk duhet të bëjmë ndonjë zbulim, ka procedura qysh trajtohen këto tema mes shteteve, qofshin dhe anëtare të NATO-s, qoftë të dyja qoftë njëri aspirant për t’ u anëtarësuar në BE siç është rasti ynë”, tha Haradinaj.

Fitim Krasniqi, Sekretar i Përgjithshëm në Zyrën e Kryeministrit, në cilësinë e kryesuesit të Këshillit për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile, ka theksuar hapat e rëndësishëm drejt realizimit të objektivave për krijimin e kushteve për zhvillimin e qëndrueshëm të bashkëpunimit mes Qeverisë dhe Shoqërisë Civile.

Të ngjashme