Haxhiu: Ratifikimi i demarkacionit të mos lidhet me liberalizimin

Prishtinë | 19 Tet 2016 | 18:48 | Nga

Lëvizja Vetëvendosje shprehet e gatshme të jap kontributin e saj për nxjerrjen e një deklarate për liberalizimin e vizave dhe kriterin e përcaktuar nga Komisioni Evropian për ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ishte e pranishme në takimin që një ditë më parë kreu i Kuvendit, Kadri Veseli pati me Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme, e ku u diskutua për deklaratën e përbashkët për liberalizimin e vizave, të cilën po e përgatit Kuvendi. Megjithatë deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, në një deklaratë për Radio Kosovën thotë se kjo lëvizje është e gatshme të jap kontributin e saj, por është skeptike për rezultatin e kësaj deklarate.

“Unë nuk kam shpresë që do të arrihet diçka me këtë deklaratë, ndonëse jemi jashtëzakonisht të gatshëm dhe të shprehim gatishmërinë tonë për të përshpejtuar këtë proces”, tha Haxhiu për Radio Kosovën.

Deputetja Haxhiu thekson se Vetëvendosje në vazhdimësi ka kërkuar që ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, të mos jetë kusht për liberalizimin e vizave, ndërsa kujton pesë pikat që kjo lëvizje i ka prezantuar javë më parë, ku kërkohet që kryeministri i Kosovës përmes një letre zyrtare të zotohet para institucioneve të Bashkimit Evropian, për një zgjidhje të drejtë të demarkacionit me Malin e Zi, proces ky që sipas Vetëvendosjes, duhet të kthehet në pikën zero.

“Përshpejtimi i këtyre proceseve ndërlidhet ngusht me veprimin e Qeverisë. Pra sa më shpejtë që Qeveria e kthen këtë proces në pikën zero, aq më shpejt mundësohet edhe progresi në këtë çështje duke u plotësuar edhe ky kriter që ka qenë i padrejtë”, tha Haxhiu.

Haxhiu kujton edhe luftimin e krimit dhe korrupsionit, si kriter i vendosur nga Bashkimi Evropian, e për të cilin, thotë se institucionet e Kosovës nuk janë të gatshme.

“Ne nuk jemi të bindur se këta njerëz do të bëjnë diçka në këtë drejtim, prandaj nuk besojmë që qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të lëvizin lirshëm për shkak të krimit të organizuar dhe korrupsionit që po lulëzon në Kosovë”, tha Haxhiu.

Përndryshe, të martën kreu i Kuvendit Kadri Veseli në një takim që pati me Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme, kanë rënë dakord që të nxirret një deklaratë e përbashkët rreth procesit të liberalizimit të vizave, në veçanti për kriterin e demarkacionit, për t’i garantuar të gjitha vendet e Bashkimit Evropian se Kosova është e gatshme të përfundojë shënjimin e kufirit të saj me Malin e Zi.

Të ngjashme