Hoti: Demarkacioni nuk ka kthim prapa, liberalizimi po rrezikohet

Prishtinë | 17 Pri 2017 | 11:19 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Demarkacioni nuk ka kthim prapa. Madje institucionet e vendit duhet sa më parë ta heqin nga agjenda e tyre këtë temë, ngase liberalizimi i vizave nuk mund të ndodhë pa kaluar kjo çështje.

Kështu ka thënë për Ekonomia Online, profesori i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti, duke komentuar deklaratën e kryeministrit Mustafa, i cili tha se do të kërkojnë nga BE-ja që ta heqin Demarkacionin si kusht për liberalizimin e vizave.

“Nuk besoj që do të ketë tërheqje. Demarkacioni duhet të ndodhë madje kjo temë nuk është çështje që lidhet me BE-në. Demarkacioni duhet të trajtohet nga institucionet e Kosovës dhe ajo që është për t’u shqetësuar është normalisht mungesa e një konsensusi tash e sa kohë nga vet lidershipi politik. Po flas për pozitën dhe opozitën për të gjetur një gjuhë të përbashkët dhe për t’i dhënë përgjigje Demarkacionit”, ka thënë Hoti.

Ai madje ka thënë se nëse nuk ratifikohet Demarkacioni, procesi i liberalizimit të vizave do të zgjatet edhe për disa vjet.

“Nuk besoj dhe nuk do të duhej të ishte objektiv e lidershipit politik  të tërhiqej nga agjenda për momentin sepse nëse tërhiqet për momentin për çështjen e liberalizimit unë jam shumë i sigurt që në një stad të dytë që nuk do të jetë shumë afat gjatë pas dy viteve ose tri vitesh ne sërish do të ballafaqohemi me këtë problematik. Pra, mendoj që tani është që në radhë të parë brenda për brenda, në radhë të dytë në kuptimin e jashtëm t’i japim përgjigje demarkacionit dhe ta zgjidhim njëherë e mirë këtë çështje”, ka pohuar ai.

Megjithatë, Hoti vlerëson se Bashkimi Evropian po i hyn në hak Kosovës, jo vetëm për liberalizim të vizave por edhe për çështje të tjera.

“Në kuptimin praktik janë institucionet e Kosovës ku nuk do koment dhe për këtë situatë përgjigja është krejtësisht e qartë sepse nëse nuk kemi liberalizim atëherë kemi dështuar në plotësimin e kritereve. Në kuptimin teorik mendoj që është shumë e padrejtë dhe këtë e kam thënë shumë herë që Bashkimi Evropian po i hyn në hak Kosovës jo vetëm për liberalizim por edhe për çështje të tjera”, ka thënë ai.

Kryeministri Isa Mustafa gjatë një prononcimi për medie ditë më parë deklaroi se do të kërkojnë nga Bashkësia Ndërkombëtare që ta heqin demarkacionin me Malin e Zi nga kushtet për liberalizimin e vizave për Kosovën.

 

Të ngjashme