Hoti falënderon votuesit për mbështetjen

Prishtinë | 12 Qer 2017 | 09:08 | Nga

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga koalicioni LDK-AKR, Avdullah Hoti, përmes një postimi në Facebook ka falënderuar të gjithë anëtarët dhe votuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës për mbështetjen e dhënë.

Ai ka thënë se gjatë këtyre zgjedhjeve ka bërë fushatë të civilizuar, fer e me program të qartë.

Ky është postimi i plotë i Hotit:

Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së,

Të nderuara struktura të LDK-së të nëndegëve dhe degëve, Forumit Rinor, Forumit të Grave, Kuvendit të LDK-së, Këshillit të Përgjithshëm dhe Kryesisë së LDK-së,

Të nderuar qytetarë, votues të LDK-së dhe koalicionit,

Dëshiroj t’ju falënderoj nga zemra për mbështetjen që më keni dhënë në këto zgjedhje. Këto tri javë për mua kanë qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm. Kam takuar mijëra qytetarë të të gjitha moshave, studentë, të rinj e të reja, afaristë, bujq, pensionistë, punëtorë.

Me ekipin tim, jam mundur të zhvilloj një fushatë të civilizuar, fer, me program të qartë dhe të realizueshëm. Besoj shumë se kemi vendosur një standard të ri në politikë në këtë drejtim.

Dëshiroj në emrin tuaj të falënderoj të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në procesin zgjedhor, komisionarët, vëzhguesit vendor dhe ndërkombëtar, KQZ, KKZ, policinë dhe organet e rendit, për punën e tyre në mbrojtje të votës së sovranit.

Pres nga KQZ që në ditët në vijim të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve dhe të themelohen institucionet e vendit në përputhje me Kushtetutën.

Rrugëtimi jonë bashkë do të vazhdojë për të mbrojtur liritë tona qytetare, rendin dhe ligjin dhe siguruar perspektivën evropiane për Kosovën. Rrugë tjetër nuk ka. LDK dhe unë nuk do të lëshojmë rrugë për ata që dhunojnë këto vlera. LDK dhe unë do të qëndrojmë të palëkundur në mbrojtje të këtyre vlerave.

I juaji,

Avdullah Hoti

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme