Hoti: Koalicioni qeverisës e ka humbur legjitimitetin dhe shumicën

Prishtinë | 15 Pri 2018 | 11:28 | Nga

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, fton partitë e tjera që t’i bashkohen nismës së LDK-së për një tryezë të përbashkët për tejkalimin e gjendjes, në kohën kur koalicioni qeverisës, sipas tij, e ka humbur shumicën parlamentare.

Hoti thotë se situata e re e krijuar në vend, me humbjen e shumicës parlamentare nga partitë në pushtet, kërkon që të kapërcejmë interesat e ngushta politike.

“LDK-ja është e vendosur dhe e pa kompromis në ruajtjen e rendit kushtetues dhe demokracisë në Kosovë”.

“Ne presim nga partitë e tjera t’i bashkohen nismës tonë për një tryezë të përbashkët për tu dakorduar për tejkalimin e situatës”, ka thënë Hoti, përmes një postimi në Facebook.

Ai thotë se “Koalicioni qeverisës e ka humbur shumicën në Kuvendin e Kosovës. Tani koalicioni ka vetëm 52 vota në Kuvend, ndërkaq partitë opozitare kanë 68 vota”.

“Partitë opozitare të shumicës shqiptare në Kuvendin e Kosovës numërojnë 385 mijë vota. Ndërkaq, partitë shqiptare të koalicion qeverisës numërojnë 245 mijë vota”.

“Prandaj, është e qartë se ky koalicion i pakicës nuk ka legjitimitet për të qeverisur. Çdo ditë e humbur pa një marrëveshje në mes të partive politike për punët që duhet kryer bashkërisht deri në zgjedhjet e parakohshme është rrezik dhe humbje për Kosovën”, ka thënë Hoti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme