Hoti viziton Trepharmin, prezanton Fondin 15-milionësh të Bankës Botërore

Prishtinë | 26 Maj 2017 | 13:39 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjatë një vizite që ka zhvilluar në Fabrikën e prodhimit farmaceutik “Trepharm” në Fushë-Kosovë, kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë se politikat fiskale të miratuara nga Qeveria kanë dhënë efekte në zhvillimin e sektorit privat.

“Më vjen mirë për depërtimin tuaj në tregjet ndërkombëtare, jo vetëm në Evropë por edhe në vende tjera. Jam shumë i kënaqur me performancën që keni arritur deri më tash”, ka thënë Hoti, duke shtuar se Pakoja e Fiskale II, e cila do të hyjë në fuqi sa po të krijohet qeveria e re, do të krijojë kushte edhe më të favorshme për prodhimin vendor.

Ai ka garantuar se prodhuesit vendor farmaceutik do të kenë mbështetjen që furnizimi i institucioneve shëndetësore me barna të jetë në nivelin e duhur.

“Do ta kemi prioritet zhvillimin prodhimit vendor me politikat fiskale që i kemi ndërtuar. Tash me pakon e dytë jemi afër ti identifikojmë të gjitha çështjet që ju i keni listu me kujdes dhe i keni sugjeruar”, ka thënë Hoti.

Hoti ka prezantuar edhe fondin prej 15 milionë euro të Bankës Botërore, i cili i dedikohet forcimit të prodhimit vendor dhe të cilin e ka negociuar ai në cilësinë e Ministrit të Financave.

Ai ka thënë se ky fond, së bashku me Pakon Fiskale II, e cila parasheh lirime doganore për lëndën e parë dhe favore tjera, do të jetë nxitëse e fuqishme e prodhimit vendor dhe uljen e varshmërisë së tregut nga importet.

Hoti gjatë ditës ka qëndruar edhe në Obiliq. Ai tha se kjo komunë do të lidhet me sistemin e ngrohjes qendrore nëpërmes sistemit të kogjenerimit, ndërsa për familjet kosovare do të krijohet Fondi për dhënien e kredive me kamata të ulëta për projekte të banimit që kanë për qëllim efiçiencën e energjisë.

“Projekti energjetik do të jetë një nga projektet e para që do të merret nga Qeveria e ardhshme. Ne do të krijojmë fondin që të gjitha familjet kosovare do të mund të marrin kredi me kamata të ulëta për të ndërmarrë masat e efiçiencës së energjisë”, ka thënë Hoti.

Të ngjashme