Hoxha: Investimi në rininë, investimi më i sigurt për të ardhmen

Prishtinë | 11 Dhj 2017 | 15:23 | Nga

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka takuar përfaqësuesit e Inovations Lab Kosova, të prirë nga Hana Sahatqija përgjegjëse e programit për rini në Unicef, me të cilën diskutoi për rëndësinë e kreativitetit si një burim të pazëvendësueshëm dhe forcë lëvizëse për ndryshime pozitive në shoqëri.

“Ndër sfidat kryesore janë nevoja për ngritjen e bazës së prodhimit, zhvillimi i kapaciteteve eksportuese, mbyllja e boshllëkut të konkurrueshmërisë, përmirësimi i mjedisit afarist, me qëllim të krijimit të një klime më të mirë të investimeve dhe krijimit të vendeve të reja të punës për rininë tonë”, theksoi Ministrja Hoxha, duke vënë në pah se rinia është subjekt i rëndësishëm i ndryshimit në komunitet dhe shoqëri.

Ministrja Hoxha lavdëroi punën e Innovation Lab, duke e përgëzuar znj. Sahatqija dhe ofroi mbështetje për misionin e tyre për sensibilizimin e rinisë për teknologji dhe inovacion.

Sahatqija, theksoi se Innovations Lab punon me adoleshentët dhe të rinjtë, 14 deri 24 vjeç, me theks në grupet e margjinalizuara. Ky angazhim kontribuon në rritjen e kapacitetit dhe mundësive në mesin e të rinjve më të margjinalizuar të Kosovës për të kërkuar dhe siguruar pjesëmarrje kuptimplote si në fuqinë punëtore ashtu edhe në formimin e politikave dhe proceset vendimmarrëse.

UNICEF Innovations Lab, ka punuar në afrimin e adoleshentëve dhe rinisë me teknologjinë dhe inovacionin që nga viti 2010, duke kërkuar dhe identifikuar metodat, teknologjitë dhe mjetet që premtojnë për të avancuar shërbimin për fëmijët dhe të rinjtë.

Investimi në kapacitetin njerëzor dhe veçanërisht në rininë, u theksua në takim, është investimi më i sigurt në të ardhmen e një vendi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme