Hoxha kërkon mbështetjen gjermane për liberalizimin e vizave

Prishtinë | 05 Kor 2018 | 15:45 | Nga

Dhurata Hoxha ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë për liberalizimin e vizave, një proces i stërzgjatur, pa një përgjigje konkrete nga Komisioni Europian, që është dashur të dalë me raport javën e shkuar nëse Kosova ka përmbushur  kushtin e fundit.

Ministrja e Integrimit Europian është takuar në Gjermani me Ministrin e Shtetit për Çështje Europiane, Michael Roth, të cilin e ka informuar  për përpjekjet e bëra në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe theksoi se ky angazhim do të vazhdoj edhe pas liberalizimit të vizave.

Ministrja Hoxha theksoi se qytetaret e Kosovës tashmë një kohë të gjatë presin liberalizimin e vizave dhe qytetarët tanë meritojnë lëvizjen e lirë, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Integrimit Europian.

Ministrja Hoxha, po ashtu e njoftoi Ministrin Roth se Kosova ka ndërmarrë reformat e nevojshme për kontrollin e kufijve dhe ligjeve për të huajt, andaj liberalizimi i vizave nuk do të keqpërdoret nga qytetarët e Kosovës, duke theksuar se duhet dhënë mundësinë të rinjve tanë që të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së, sepse Kosova beson fuqishëm në vlerat evropiane dhe kjo është rruga që jemi nisur, bashkimi me vlerat evropiane.

Ndërkaq, Ministri Roth falënderoi Ministren Hoxha për angazhimin si dhe ofroi mbështetjen e Gjermanisë në rrugën integruese të Kosovës, duke vënë në dukje se mbetet shumë punë për t’u bërë drejt integrimit evropian dhe në këtë proces reformat janë kyçe.

Ministri gjerman e siguroi Ministren Hoxha se Gjermania do të mbështes Kosovën në procesin integrues dhe vlerëson lartë reformat e ndërmarra, duke porositur që të vazhdohet dialogu me Serbinë dhe reformat në sektorët kryesorë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme