Hoxha kërkon nga Gjermania mbështetje për liberalizim vizash

Prishtinë | 05 Kor 2018 | 18:30 | Nga

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, u prit në takim nga Stephan Mayer, sekretar i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Gjermanisë.

Siç thuhet në komunikatën e kësaj Ministrie, Hoxha e njoftoi Sekretarin e shtetit për reformat e ndërmarra dhe kushtet e plotësuara  nga Kosova për liberalizimin e vizave.

“Theksoi se kushtet janë përmbushur dhe qytetarët e Kosovës presin që BE-ja të njohë të arriturat dhe të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë”, thuhet në komunikatë.

Tutje, ajo foli për reformat e ndërmarra në fushën e migracionit, me theks të veçantë në reformat legjislative të cilat fuqizojnë kontrollin e kufijve dhe politikat ndaj të huajve dhe azilit.

“Kosova nuk paraqet rrezik sa i përket migracionit ilegal sepse kemi gjithë infrastrukturën e duhur ligjore dhe institucionale”, ka thënë Hoxha.

Në këtë kontekst, ajo kërkoi mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë për liberalizimin e vizave për Kosovën duke qenë se MPB është pjesë e procesit të vendimmarrjes.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme