Hoxha mirënjohëse për përkrahjen e Sllovenisë

Prishtinë | 15 Shk 2018 | 20:53 | Nga

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka takuar sot ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë, Bojan Bertoncelj, me të cilin ka diskutuar për të arriturat dhe sfidat e procesit integrues, thellimin e bashkëpunimit në këtë proces si dhe përvojat e këtij procesi, sipas një komunikate shtypi të lëshuar pas takimit.

Hoxha shprehu respekt dhe mirënjohje për përkrahjen që i erdhi Kosovës nga Sllovenia, duke theksuar se miqësia e Sllovenisë është e dëshmuar për historinë e re të Kosovës. Më tej, ajo ka diskutuar për Strategjinë e zgjerimit të BE-së për Ballkanin perëndimor duke theksuar rëndësinë e procesit integrues, angazhimin maksimal të institucioneve të Kosovës për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si dhe Agjendën e Reformave Evropiane duke kërkuar mbështetje të mëtejme nga Sllovenia, shtetit mik që vazhdimisht ka përkrahur proceset pozitive të Republikës së Kosovës.

“Mirëpresim përkrahjen e Sllovenisë në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova dhe vazhdimin e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm ndërmjet dy vendeve tona. Jemi mirënjohës për përkrahjen e gjithanshme që ka ofruar Sllovenia në veçanti të integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare është hapi që pret qytetari ynë. Jemi të vetëdijshëm se duke realizuar MSA-në, ne përafrojmë vendin tonë me vlerat integruese euro-atlantike”, theksoi Ministrja Hoxha, duke theksuar se në këto procese ekziston konsensus nacional.

Ambasadori Bertoncelj po ashtu vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe shprehu përkushtimin e tij që këto raporte të zgjerohen edhe më tutje, veçanërisht për procesin e integrimit evropian.

“Kosova ka arritur suksese në këtë proces, fokusi mbetet tutje te sundimi i ligjit, fqinjësia e mirë, ngritja e cilësisë së jetës së qytetarëve, zhvillimi ekonomik dhe zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare të Kosovës, janë sfida të cilat besojmë se me sukses do t’i realizoj Kosova, ne ofrojmë mbështetje të plotë në këtë proces”, theksoi ambasadori slloven.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme