Hoxha: Ndalimi i Haradinajt përbën shkelje të të drejtave të njeriut

Prishtinë | 10 Jan 2017 | 12:17 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, kushtuar ndalimit të paligjshëm të Ramush Haradinajt nga organet franceze, ministrja Dhurata Hoxha ka përshkruar veprimet për lirimin sa më të shpejt të tij, duke e konsideruar ndalimin e Haradinajt të padrejtë, të paligjshëm dhe të motivuar politikisht nga Serbia.

Ministrja Hoxha ka theksuar se menjëherë pas marrjes së informacionit nga Policia e Kosovës më 4 Janar 2017, rreth orës 15.00, Ministria e Drejtësisë ka kontaktuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme, Policinë e Kosovës dhe me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Francë për të vërtetuar gjendjen faktike rreth ndalimit të Ramush Haradinajt.

Më tej, ministrja Hoxha ka vënë në pah se në bashkërendim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Francë dhe Policinë e Kosovës, Ministria e Drejtësisë në po të njëjtën ditë përmes kanaleve diplomatike, ia ka dërguar letrën e parë të protestës Ministrisë së Drejtësisë të Francës duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të Ramush Haradinaj.

Më 5.1.2017, Ministrja e Drejtësisë ka kontaktuar me Ambasadorin e Francës në Kosovë prej të cilit ka kërkuar lirimin e Ramush Haradinaj. Njëkohësisht kanë filluar konsultimet dhe bashkërendimi me Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ambasadën e Kosovës në Francë dhe Policinë e Kosovës për përgatitjen e shkresës së dytë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë së Francës, e cila u dërgua me datë 06 Janar 2017, theksoi Ministrja Hoxha.

“Në këtë shkresë, janë cekur hollësisht argumentet juridike dhe politike për ndalimin e kundërligjshëm të z. Ramush Haradinajt dhe u kërkua prapë lirimi i tij i pakushtëzuar. Po ashtu, Ministria e Drejtësisë u bashkërendua me Ambasadorin dhe Konsullin e Përgjithshëm të Kosovës në Francë, të cilët janë duke e ndjekur nga afër procesin gjyqësor lidhur me ndalimin e z. Ramush Haradinaj dhe mbetet në gatishmëri për veprime juridike dhe politike sipas kërkesës së Ambasadës së Kosovës në Francë dhe ekipit mbrojtës të Ramush Haradinaj”, theksoi ministrja Dhurata Hoxha.

Më datën 6 Janar 2017, Ministria e Drejtësisë po ashtu u bashkërendua me Ministrinë e Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë për veprimet juridike dhe politike drejtuar Ministrisë së Drejtësisë së Francës për rastin e Ramush Haradinaj. Njëkohësisht, Ministrja e Drejtësisë është në proces të organizimit të një takimi të drejtpërdrejte me Ministrin e Drejtësisë të Francës për këtë rast.

Më 9 Janar 2017, Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Ambasadorin e Kosovës në Francë, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Policinë e Kosovës ka dërguar edhe shkresën e tretë, me të cilën ka kërkuar lirimin e Ramush Haradinajt dhe refuzimin e çdo kërkese që mund të paraqitet nga Serbia për ekstradimin e tij. Po ashtu, Ministria e Drejtësisë ka ofruar prova në mbështetje të kërkesës për lirimin e Ramush Haradinajt si dhe ka argumentuar që ndalimi i tij është kryekëput i motivuar politikisht dhe pa bazë juridike.

“Duhet theksuar se që në nëntor 2016, Ministria e Drejtësisë dhe Policia e Kosovës kanë kërkuar nga INTERPOL heqjen e Ramush Haradinajt dhe të shtetasve tjerë të Republikës së Kosovës nga lista e personave të kërkuar. Kërkesa është bërë nga Policia e Kosovës përmes UNMIK-ut, i cili e ka dorëzuar kërkesën tonë në INTERPOL me 16 dhjetor 2016 si dhe vet ka protestuar kundër përfshirjes së Ramush Haradinaj dhe të gjithë shtetasve të tjerë të Republikës së Kosovës në listën e INTERPOL-it”. Pritet vetëm përfundimi i procedurave të brendshme të INTERPOL që Ramush Haradinaj dhe shtetasit tjerë të Republikës së Kosovës të cilët ndiqen për kinse krime lufte të kryera në territorin e Republikës së Kosovës, të hiqen nga kjo listë”, theksoi ministrja Hoxha.

Ministrja Hoxha potencoi se Ministria e Drejtësisë, në bashkërendim me Prokurorin e Shtetit dhe me Policinë e Kosovës, vazhdimisht ka kundërshtuar kërkesat për ndjekjen e shtetasve të Republikës së Kosovës për vepra penale kinse të kryera në territorin e Kosovës dhe veçanërisht në raport me Serbinë ka refuzuar çdo bashkëpunim me palën serbe në këtë drejtim, sepse janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Z. Haradinaj.

Ministria e Drejtësisë i ka mbajtur të informuar përfaqësuesit e AAK-së për të gjitha veprimet që i ka ndërmarrë në rastin e Ramush Haradinajt dhe ua ka dhënë në dispozicion të gjitha shkresat dhe komunikimet. Ministria e Drejtësisë është për një qasje plotësisht transparente dhe bashkëpunuese dhe do të vazhdojë me këtë qasje në interesin e të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës, theksoi ministrja Dhurata Hoxha, në fjalën e saj, në seancën e jashtëzakonshme kushtuar arrestimit të Ramush Haradinajt.

dhurata-hoxha-3 dhurata-hoxha-1

Të ngjashme