Hoxha optimiste se KE do të dalë me rekomandim pozitiv për vizat

Prishtinë | 27 Qer 2018 | 15:04 | Nga

Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha e cila po qëndron për një vizitë zyrtare në Bruksel, thotë se në takimet me zyrtarë të BE-së, nuk është përmendur asnjëherë mundësia e krijimit të një komisioni të ri për Kosovën, që do të merrej me vlerësimin e përmbushjes së kritereve për liberalizim të vizave.

Ajo tha se është çështje ditësh publikimi i rekomandimeve nga Komisioni Evropian që nuk mund të kalohet 11 korriku, për çfarë beson se do të jetë pozitiv dhe vendimmarrja të bëhet deri në fund të vitit.

Krijimi i një komisioni të ri, i cili do të qëndronte tre muaj në Kosovë për të parë nga afër luftimin e krimit dhe korrupsionit nga ana e institucioneve është demantuar nga Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha. Në një intervistë për Radio Kosovën ajo tha se nga takimet e zhvilluara në Bruksel askush nuk e ka përmendur këtë mundësi për Kosovën:

“Unë gjendem në Bruksel, dhe në asnjë nga takimet e zhvilluar nuk është përmendur mundësia e të dërguarit të një komisioni të ri faktmbledhës, apo misioni vlerësues apo çfarëdo qoftë që po qarkullon nëpër media. Pra qoftë nga takimet e mia zyrtare, qoftë nga burimet e mia zyrtare, por edhe përmes kanaleve jozyrtare asnjëherë nuk është përmendur mundësia që të dërgohet një mision tjetër faktmbledhës përpos atij që tashme ka qëndruar në Kosovë e i cili ka qenë i zyrtarizuar nga Komisioni Evropian”, tha ajo.

Megjithëkëtë ministrja Hoxha nga Brukseli është shprehur optimiste se rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave do të jetë pozitiv, e i cili pritet që para datës 11 korrik të bëhet i ditur, dhe vendimmarrja të bëhet deri në fund të vitit:

“Unë mendoj që edhe për Republikën e Kosovës do të ketë një lajm të mirë nga Komisioni dhe kjo mund të bëhet qoftë deri në fund të qershorit, ku është pritur që këto konkluza të kalojnë, dhe më pastaj komisioni të veprojë ose më së largu deri në fillim të korrikut, por gjithsesi është një frymë e mirë pozitive dhe duan ta bëjnë këtë para pushimeve verore, deri me 11 korrik. Mendojë që ende është reale mundësia e liberalizimit deri në fund të vitit”, tha ajo.

Pas rekomandimeve të Komisionit Evropian, procesi kalon te komiteti LIBE i Parlamentit Evropian (Komiteti për të drejtat civile drejtësi dhe punë të brendshme), i cili duhet t’i miratojë këto rekomandime, për çfarë ministrja Hoxha tha se ka marrë garanci nga anëtarë të këtij komiteti se votimi do të jetë pozitiv. Tutje procesi i vendimmarrjes kalon në trialog në mes të Komisionit Evropian, Parlamentit dhe Këshillit të Ministrave të BE-së.

Të ngjashme