Hoxha: Pas Demarkacionit, duhet të japim sinjale të qarta kundër korrupsionit

Prishtinë | 22 Mar 2018 | 13:42 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka mbajtur një konferencë për medie, lidhur me ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, si dhe rrugën drejt integrimit evropian dhe liberalizimit të vizave.

Hoxha ka shpjeguar rrugën prej kur Kosova ka marrë udhërrëfyesin nga BE-ja më 2012, i cili përmbante 95 kritere për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ajo ka theksuar se Kosova ka përmbushur kriterin kryesor atë të ratifikimit të demarkacionit, por sipas saj edhe kriteri i mbetur luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar ka shënuar progres. Sidoqoftë, pritet raporti përfundimtar nga BE-ja.

Ajo u shpreh optimiste se qytetarët do të lëvizin lirshëm në vitin 2018, raporton Ekonomia Online.

“Kosova në 2012 ka pranuar udhërrëfyesin me 95 kritere, më tepër kritere se vendet e tjera. Nga ajo kohë institucionet e Kosovës kemi arritur plotësimin e kritereve dhe t’i çojmë në dy kritere të mbetura”.

Hoxha ka shpjeguar se Komisioni Evropian ka bërë 3 vlerësime më 2013, 2014 dhe 2016. Dhe raporti i fundit, në shkurt 2018, ka vlerësuar se janë përmbushur të gjitha kriteret, përveç dy. “Kosova do të ratifikonte marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe të bëjë progres në luftimin e krimit dhe korrupsionit”, tha ajo.

“Kuvendi plotësoi kriterin kyç të mbetur”, tha Hoxha, e cila falënderoi deputetët që votuan pro, duke përshpejtuar lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Ministrja e Integrimit tha se gjatë vizitës që presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, pati në Kosovë në shkurt të këtij viti, Kosova dorëzoi raportin për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. “Na është thënë se BE-ja do të marrë hapa të shpejtë për vlerësimin e kriterit të dytë”.

Por, vlerësimi i Hoxhës është se Kosova ka përmbushur tashmë të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe pret që edhe BE-ja ta konfirmojë këtë.

“Në kuadër të udhëheqjes së prokurorisë speciale, janë shenjuar 39 raste. Lufta kundër krimit duhet të vazhdojë dhe të japim sinjale që jemi të pakompromis në këtë drejtim”, theksoi ajo.

“Kosova do të dorëzojë raportin edhe me plotësimin e kriterit të demarkacionit dhe me informatat që do t’i marrim lidhur me kriterin e dytë, presim që gjatë këtij viti të përfundojnë kushtet”.

“Ne presim që të gjitha procedurat mos të marrin me shumë se 6 muaj, duke u bazuar në rastet e mëparshme të vendeve që kanë marrë pjesë në liberalizimin e vizave”.

“Institucionet e Kosovës kanë përfunduar detyrat e veta, tani përgjegjësia është në institucionet e BE-së për të ndërmarrë hapa”.

Ministrja e Integrimit tha se tani do të jenë në komunikim intensiv me institucionet e BE-së që mos të zgjaten procedurat për hyrjen në fuqi për procesin e liberalizimit të vizave.

Ajo ka përmendur dhe problemin e mosnjohjes së Republikës së Kosovës nga 5 vendet e BE-së. Por, ka theksuar se na duhen 65% e popullatës së BE-së për të miratuar vendimin për qarkullim të lirë të qytetarëve të Kosovës në Zonën Schengen.

Image may contain: 1 person, standing

Të ngjashme