Hoxha për vizat: Sa më shpejt që ratifikohet demarkacioni, më mirë

Prishtinë | 16 Nën 2017 | 15:29 | Nga

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurta Hoxha nuk ka treguar se çfarë mund të ndodh me çështjen e liberalizmit të vizave për Kosovën, nëse ratifikimi i Demarkacionit më Malin e Zi, si kusht kryesorë nga BE për heqjen e regjimit të vizave, nuk përfundon në muajt e parë të vitit 2018.

Ajo, po ashtu nuk ka përmendur nëse ekziston ndonjë afat kohor për ratifikim e kësaj marrëveshje, që kosovarëve t’u hiqen vizat gjatë vitit të ardhshëm.

Por, Hoxha në një intervistë për lajmi.net ka thënë se sa më shpejtë që të ratifikohet kjo marrëveshje, aq më mirë do të jetë sa i përket liberalizmit të vizave.

Drejtuesja e digasterit qeveritarë, që udhëheq me proceset e integrimeve evropiane ka folur edhe për raportin e ardhshëm të Komisionit Europian, që do të publikohet në prill të vitit 2018.

Ajo ka thënë se presin që raporti të vlerësojë përparimet që janë bërë nga të gjetura e raportit të fundit, duke përfshirë edhe organizmin e zgjedhjeve fer e demokratike të 11 qershorit.

Hoxha ka folur edhe për zbatimin e kritereve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, ku ka pranuar se në këtë aspekt deri tani ka pasur ngecje, por që sipas saj, pas formimit të Qeverisë së re, gjërat kanë ndryshuar në këtë aspekt.

Lajmi.net: znj. Hoxha, ju të enjten e kaluar i keni dorëzuar shefes së BE-së, znj. Apostolova raportin vjetor të institucioneve të vendit. Si pas jush sa është arritur të përmbushen të gjeturat nga Raporti i Progresit të vitit të kaluar?

Hoxha: Raporti në fjalë është kontributi i pari i institucioneve të Republikës së Kosovës për raportin e ardhshëm të KE-së për Kosovën (i cili më parë është quajtur Raporti i Progresit), që do të publikohet në prill 2018. Që nga raporti i fundit i KE-së, i publikuar në nëntor 2016, ka pasur një sërë përparimesh në adresimin e sfidave të identifikuara në këtë raport.

Më konkretisht, përparimet kryesore në raport me këto sfida në kuadër të Kritereve politike përfshijnë: – Institucionalizimin e përfshirjes së shoqërisë civile në qeverisje, përmes miratimit dhe zbatimit të standardeve minimale për konsultime publike, përfshirë platformën elektronike për këtë qëllim; – Rregullimin uniform, në nivel të Qeverisë, për financimin publik të OShC-ve, përmes miratimit të një rregulloreje të detyrueshme për të gjitha institucionet e Qeverisë; – Rishikimin e institucioneve të pavarura, me qëllim të racionalizimit të funksioneve dhe resurseve të tyre dhe të ndërmarrjeve publike; si dhe finalizimin e kontratës së mbështetjes direkt buxhetore të BE-së në këtë fushë (me vlerë prej 25 milionë eurosh, përmes së cilës do të zbatojmë një sërë reformash kyçe në vitet 2018-2021); – Hartimin e tri ligjeve kornizë për reformën e administratës publike (për Shërbimin Civil, pagat dhe organizimin e administratës publike), të cilët do të miratohen para publikimit të Raportit të ardhshëm të KE-së për Kosovën; – Reformat legjislative dhe zbatimin për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë atë kundër konfliktit të interesit, suspendimin/shkarkimin e zyrtarëve publikë të akuzuar/dënuar për korrupsion dhe financimin e partive politike; – Reformat ligjore dhe zbatimin me qëllim të përmirësimit të të drejtave pronësore të grave.

Më konkretisht, përparimet kryesore në raport me këto sfida në kuadër të Kritereve ekonomike dhe standardeve evropiane përfshijnë: – Ruajtjen e stabilitetit fiskal dhe rritjes së performancës së të hyrave publike nga tatimet, dhe përmirësimin e menaxhimit të financave publike; – Zbatimin e politikave kundër ekonomisë joformale; – Reformat institucionale në fushën e politikave të punësimit (përmes themelimit të Agjencisë së Punësimit); – Përmirësimin e prokurimit publik përmes fillimit të zbatimit të prokurimit elektronik; – Reformat ligjore (përafrimin me acquis), të politikave e ato institucionale, si dhe zbatimi në disa fusha, si: o Infrastruktura e cilësisë në tregun e brendshëm, përfshirë mbikëqyrjen e tregut/shërbimet e inspektimit; o Kontabiliteti, auditimi dhe raportim financiar të ndërmarrjeve; o Tatimet; o Konkurrenca dhe ndihma shtetërore; o Arsimi dhe kërkimet shkencore; o NVM-të dhe politikat e industrisë; o Mjedisi; o Transporti dhe energjia, përfshirë prioritetet e dala nga ‘Procesi i Berlinit’; o Kontrolli financiar, përfshirë finalizimin e kontratës së mbështetjes direkte buxhetore të BE-së për menaxhimin e financave publike (me vlerë prej 25 milionë eurosh, përmes së cilës do të zbatojmë një sërë reformash kyçe në vitet 2018-2021); o Statistikat; o Drejtësia, liria dhe siguria (përfshirë ato kundër krimit të organizuar). Ja vlen të veçohen përpjekjet e Kosovës për të përmirësuar klimën e biznesit dhe investimeve u njohën nga rangimi i përmirësuar i Kosovës në Vlerësimin e Bankës Botërore për të bërit biznes 2018. Kosova tani renditet e 40-ta nga 190 vende. Vlen të përmendet se Kosova renditet e 10-ta për regjistrimin e biznesit, e 12-ta për qasjen në financa dhe e 34-ta për regjistrimin e pronës, duke bërë që Kosova të jetë në mesin e 10 performuesve të parë, ne vendin 4 ne raportin e Bankës Botërore për te berit biznes.

Lajmi.net: Cili pritet të jetë vlerësimi i BE-së për këtë raport?

Hoxha: Gjëja më e rëndësishme që presim është që të njihet dhe mirëpriten përparimet që kemi bërë në përmbushjen e 22 prioriteteve politike, të dakorduara përmes Agjendës për Reforma Evropiane. Gjithashtu presim të vlerësohen përparimet e bëra, të listuara më sipër dhe të tjera, në adresimin e sfidave të tjera të identifikuara në raportin e vitit 2016. Njëkohësisht, konsiderojmë që duhet njohur zhvillimi demokratik, fer dhe i rregullt i zgjedhjeve të përgjithshme.

Lajmi.net: Viti 2017 ka qenë vit zgjedhor dhe me një funksionim jo të mirë të institucioneve. Sa do të ndikojë kjo në rezultatet e këtij raporti?

Hoxha: Efekti më i drejtpërdrejtë i këtij viti zgjedhor ka të bëjë me miratimin e ligjeve, pasi që Kuvendi nuk ka arritur të miratojë një numër të konsiderueshëm ligjesh të planifikuar si pjesë e reformave që kërkon MSA.

Lajmi.net: Po ashtu Kosova ka ngecur edhe sa i përket zbatimit të kritereve të dala nga MSA. Sipas një hulumtimi të Grupi për Studime Juridike dhe Politike, deri në qershor të këtij viti, janë zbatuar vetëm 35 për qind e masave të MSA-së. A pajtoheni me këto të gjetura, dhe pse sipas jush ka ngecje në këtë aspekt?

Hoxha: Masat në fjalë nuk dalin drejtpërsëdrejti nga MSA, pasi që ajo është marrëveshje ndërkombëtare që vendos kornizën e procesit të aderimit të Kosovës në BE, por bëhet fjalë për masat që kanë planifikuar të gjitha institucionet e Kosovës në kuadër të Programit për Zbatimin e MSA-së. Këto të gjetura janë të sakta, por zbatimi është përshpejtuar pas formimit të Qeverisë së re, dhe besojmë që deri më tani shkalla e zbatimit është përmirësuar ndjeshëm. Arsyeja kryesore ka qenë mosfunksionimi i Kuvendit, por gjithashtu për shkak të resurseve të pamjaftueshme buxhetore dhe njerëzore (në veçanti të ekspertizës në fusha komplekse të acquis-së së BE-së).

Lajmi.net: Në Qeveri është miratuar edhe Agjenda Evropiane për vitin 2018. A mund te thoni se cilat janë prioritet e ministrisë që ju drejtoni për këtë, vitin e ardhshëm?

Hoxha: Qeveria ka miratuar propozim prioritetet për vitin 2018 dhe tani do të fillojnë konsultimet me institucionet e BE-së. Fushat prioritare nuk pritet të dallojnë shumë, pra pritet të mbeten tri shtyllat ekzistuese: Administrata publike dhe sundimi i ligjit, Konkurrueshmëria dhe klima e investimeve, dhe Punësimi dhe arsimi, por aktivitetet/masat prioritare të reformave pritet të fokusohen në disa fusha dhe çështje specifike sektoriale.

Lajmi.net: Në bazë të një studimi të publikuar edhe në Gazetën e Politikave Publike Evropiane (06/2017), me titull “Parashikimi i përputhshmërisë së vendeve kandidate me rregullat e anëtarësimit në BE, 2017-50”, Kosova nuk është përfshirë në studim për shkak të, siç thuhet, “mosnjohjes nga pesë vendet e BE-së, si dhe në mungesë të të dhënave të pritshme”. Sa po paraqet problem në rrugën drejtë integrimeve mosnjohja e pesë vendeve të BE-së?

Hoxha: Pesë vendet mos njohëse kanë mbështetur rrugën Evropiane të Kosovës në mënyrë konsistente. Deri më sot këto 5 vendet kanë mbështetur Marrëveshjen Stabilizim Asociimi, progresin në kuadër të procesi të liberalizimit të vizave si dhe qasjen e Kosovës në Programet e BE-së. Prandaj, nuk mund themi që këto vende në çfarëdo forme kanë bllokuar procesin e integrimit Evropian të Kosovës. Shpresojmë qe kjo përkrahje te vazhdoje edhe ne avancimin e Kosovës drejt integrimit.

Lajmi.net: Kosova ka marrë rekomandimin për heqjen e vizave në vitin 2015, pro ende nuk liberalizim të vizave, siç dihet për shkak të mos ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi. Sipas jush nëse demarkacioni nuk ratifikohet në muajt e partë të vitit 2018, a mund që Kosova të humbë liberalizimin e vizave edhe për këtë vit?

Hoxha: Qeveria e Kosovës qysh nga fillimi i mandatit është duke marrë hapa konkret drejt përmbushjes së kriterit të demarkacionit. Në këtë drejtim, është emëruar Komisioni i ri Shtetëror dhe presim që Komisioni të dorëzoj gjeturat e tij, ku më pastaj Qeveria do të veproj me vendosmëri.

Lajmi.net: A ka ndonjë afat kohor se deri kur Kosova duhet ta përfundojë këtë marrëveshje, që t’i hiqen vizat në vitin 2018.

Hoxha: Siç cekem edhe me larte, Qeveria e Kosovës është duke marr hapat e nevojshëm menjëherë dhe pasi që Komisioni të dorëzoj të gjeturat e tij, Qeveria do të veproj me vendosmëri. Prandaj sa me shpejt qe te procedojmë është me mire për këtë proces.

Të ngjashme