Hoxha: Raporti i Progresit është udhërrëfyes dhe orientim për institucionet tona

Prishtinë | 18 Pri 2018 | 11:45 | Nga

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha e ka konsideruar publikimin e Raportit për Vendin real dhe objektiv. Ajo vlerësoi në veçanti faktin që raporti raporti evidenton të arriturat dhe sfidat e institucioneve përkatëse.

Ky është statusi i plotë i ministres në Facebook:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Komisioni Evropian (KE) publikoi Raportin për Vendin.
Mirëpresim publikimin e këtij raporti duke e konsideruar real dhe objektiv.

Posaçërisht duhet vlerësuar fakti se raporti evidenton të arriturat dhe sfidat e institucioneve përkatëse.

Është shumë e rëndësishme që KE vlerëson se Kosova ka bërë progres në shumë fusha. Ratifikimi i Marrëveshjes për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi është përmendur në raport si diçka pozitive dhe hap i rëndësishëm.

Po ashtu, është evidentuar se zgjedhjet e vitit 2017 kanë qenë të mirë-administruara dhe të lira.

Raporti ka trajtuar edhe reformën e administratës publike dhe sistemin gjyqësor, duke potencuar suksesin e arritur me procesin e rishikimit të agjencive të pavarura, suksesin e arritur me miratimin e ligjeve të Pakos së gjyqësorit dhe integrimin e gjykatësve dhe prokurorëve në veri të vendit.

Ndër çështjet më të rëndësishme në këtë raport, është njohja e progresit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Me këtë rast, KE, ka potencuar se institucionet e Kosovës kanë bërë progres në ndjekjen e rasteve të profilit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Po ashtu, është theksuar se ka progres edhe në konfiskimin preliminar të aseteve.

Njohja e këtij progresi është shumë e rëndësishme për procesin e liberalizimit të vizave.

Raporti në përgjithësi, ka vlerësuar se institucionet e Kosovës kanë arritur progres në fushën e kritereve ekonomike, normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si dhe në përgjithësi sa i përket harmonizimit të legjislacionit me standardet e BE-së.

Të nderuar qytetarë,Raporti për vendin, përveç që ka nënvizuar të arriturat, ka nënvizuar edhe sfidat e institucioneve në fushat e caktuara. Megjithatë, konsideroj se Raporti është udhërrëfyes dhe orientim për institucionet tona për të intensifikuar punën në fushat e caktuara .Gjatë këtij viti, duhet të fokusohemi më shumë në fuqizimin e zbatimit të ligjeve, implementimin e reformës së administratës publike, duhet vazhduar lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe duhet rritur konfiskimi i aseteve.

Po ashtu, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet fushës së arsimit dhe punësimit si dy fusha kyçe për implementimin e suksesshëm të MSA-së.

Si Ministre e Integrimit Evropian, do të angazhohem maksimalisht që të gjitha institucionet të intensifikojnë punën për të adresuar sfidat e evidentuara në Raportin për Vendin.

Adresimi i këtyre sfidave dhe reformat në fushat e lartpërmendura, janë rruga jonë e vetme drejt integrimit në BE.

Të ngjashme