Hoxha: Rezultati i zgjedhjeve, krijon një qeverisje të fragmentuar

Prishtinë | 13 Qer 2017 | 11:59 | Nga Bashkim Bekolli

Rezultati i zgjedhjeve krijon një qeverisje të fragmentuar, ngase koalicionet dhe partitë nuk kanë partnerë për të krijuar koalicionin qeverisës.

Kështu ka thënë për Ekonomia Online, njohësi i çështjeve politike dhe të sigurisë, Abit Hoxha, i cili duke komentuar rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme thekson se rezultati aktual pamundëson formimin e një qeverie stabile dhe të qëndrueshme.

“Secili kalkulim mes partive dhe koalicioneve do të rezultojë me mosmarrëveshje të mëdha për shkak të ndasive të thella që janë krijuar deri më tani”, ka thënë Hoxha.

E mos zgjidhja e temave nacionale nga koalicioni paraprak, sipas Hoxhës, do ta sfidojnë koalicionin e ardhshëm dhe do ta determinojnë edhe qëndrueshmërinë e qeverisë.

“Cilado qeveri e ardhshme do të ballafaqohet me disa problemet esenciale që janë të pakalueshme. Demarkacioni, Asociacioni dhe Dialogu me Serbinë dhe Gjykata Speciale”, ka përfunduar ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka arritur të numërojë 98.88 për qind të votave të zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit.

Në vendin e parë është koalicioni PDK-AAK-NISMA, e cila ka arritur të fitojë 33.98 për qind të votave.

Në vendin e dytë është Vetëvendosje, e cila ka arritur të fitojë 27.12 për qind të votave.

Ndërsa në vendin e tretë mbetet koalicioni LDK-AKR-Alternativa, me 25.74 për qind të votave të fituara, nga numërimi i 98% të votave.

Ky rezultat ia pamundëson secilës parti apo koalicion që të formojë qeverinë e vetme, qoftë edhe me minoritete.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme