Hoxhaj në Jeddah, kërkon mbështetje për njohjen e Kosovës

Prishtinë | 30 Tet 2016 | 14:53 | Nga

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, sot është takuar me Iyad Amin Madani – sekretar i përhershëm i Organzatës për Bashkëpunim Islamik.

Në këtë takim, ministri Hoxhaj ka shprehur falënderime në emër të Republikës së Kosovës për mbështetjen e Organizatës për Bashkëpunim Islamik në konsolidimin e shtetësisë të Kosovës, duke e ndihmuar Kosovën në sigurimin e njohjeve nga shtete anëtare të kësaj organizate por po ashtu duke ndihmuar edhe në anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, ministri Hoxhaj kërkoi nga sekretari Madani që Organizata për Bashkëpunim Islamik të ushtrojë ndikimin e saj te 22 shtetet anëtare që ende nuk e kanë njohur Kosovën që të bëjnë një gjë të tillë dhe të përkrahin iniciativat e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Në anën tjetër, sekretari Madani e shprehu gatishmërinë e tij që si sekretariat i Organizatës për Bashkëpunim Islamik të komunikojnë me të gjitha shtetet anëtare që ende nuk e kanë njohur Kosovën, duke thënë se ai thellësisht është i bindur se pavarësia e Kosovës duhet të mbështetet nga shtetet anëtare të OBI-së për të mirën e paqes dhe stabilitetit në Ballkan.

Në një sesion të ndarë informues, para ambasadorëve të shteteve anëtare të OBI-së të cilët ishin sot prezent në Jeddah, ministri Hoxhaj elaboroi në detaje argumente historike, ligjore dhe politike mbi njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ai nënvijëzoi se “Pavarësia e Kosovës është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon”. Ministri Hoxhaj, po ashtu njoftoi ambasadorët me të arriturat e fundit të Kosovës duke përfshirë MSA-në, dialogun me Serbinë dhe zhvillimet në ekonomi.

Ministri Hoxhaj u pajtua me sekretarin Madani që të intensifikohet komunikimi mes Kosovës, sekretariatit të Organizatës për Bashkëpunim Islamik dhe shteteve anëtare në mënyrë që të përditësohen informatat mbi arritjet e Kosovës dhe kontekstin politik në mënyrë që të sigurohen njohje të reja për Kosovës dhe mbështetje për anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.

hoxhaj-3 hoxhajj hoxhajj1

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme