Hoxhaj: Rusisë nuk i intereson kompromisi mes Kosovës dhe Serbisë, ajo kërkon kompromis jashtë Ballkanit

Prishtinë | 10 Sht 2018 | 15:39 | Nga

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se Federata Ruse nuk është e interesuar që të arrihet kompromis në mes të Kosovës dhe Serbisë, por se interesi i saj është që t’i arrijë kompromiset e veta jashtë Ballkanit.

Në një intervistë për Der Standard, zëvendëskryeministri Hoxhaj deklaroi se Kosova e Serbia janë vetëm në fazën e parë të fazës finale të dialogut. Ai tha se Kosova është e interesuar për arritjen e një marrëveshjeje që i hap rrugë anëtarësimit të vendit në Kombet e Bashkuara.

“Kjo marrëveshje duhet nënshkruar në Bruksel, duhet të ratifikohet në dy parlamentet dhe të adaptohet në Këshillin e Sigurimit”, tha zëvendëskryeministri Hoxhaj, transmeton Koha.net.

Ai ka insistuar se Kosova do të mbetet shtet multi-etnik dhe do të ekzistojë gjithmonë. Tha se marrëveshja me Serbinë i duhet Kosovës vetëm nëse ia siguron anëtarësimin në OKB.

“Pikërisht për këtë është e rëndësishme që të kihet parasysh se në çfarë mase mund ta zbatojë një marrëveshje të tillë Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara”, tha ish –shefi i diplomacisë së Kosovës..

Hoxhaj tha se pakoja e Ahtisaarit ka dështuar së zbatuari në dy nivele.

“Fillimisht, ka dështuar zhbërja e menjëhershme e strukturave paralele në veri të vendit; dhe së dyti Kosova nuk është anëtarësuar në Kombet e Bashkuara. Dhe të je mi sinqertë, nuk kemi as shumë besim në Bashkimin Evropian duke qenë se ende nuk kanë arritur t’i bindin pesë shtete të veta që ta njohin Kosovës, këtë dekadë që lamë pas. Pra, pse duhet t’i besojmë BE-së nëse mbajnë një pozicion të tillë ndaj nesh”, ka deklaruar ai për Der Standard.

Sa i përket Rusisë, ai se ky shtet nuk e ka interesin në kompromisin mes Kosovës dhe Serbisë, por dëshiron ta përdorë të njëjtin për të arritur kompromiset e veta jashtë Ballkanit. Sidoqoftë, Hoxhaj tha se është herët të flitet për një përfundim të negociatave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme