Hoxhaj: ShBA-ja mbështet rrugën euro-atlantike të Kosovës

Prishtinë | 23 Mar 2017 | 15:36 | Nga

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka vazhduar me agjendën e takimeve në Washington, ku sot ka takuar Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan, një mbështetës i Kosovës, Bob Corker, si dhe ish-Sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright.

Hoxhaj e ka njoftuar Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit, Corker për progresin e Kosovës që pas shpalljes së pavarësisë dhe nevojën për t’i thelluar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve në rrugën e konsolidimit të shtetësisë së Kosovës.

“Zhvilluam një takim shumë përmbajtjesor me Corker, i cili është një njeri me shumë ndikim në politikën amerikane. Diskutuam për progresin e Kosovës në këto vite dhe rëndësinë që SHBA-ja mbështet rrugën euroatlantike të Kosovës në të gjitha drejtimet”, ka thënë Hoxhaj.

Po ashtu, kryediplomati kosovar Hoxhaj ka takuar njërën nga mbështetëset e mëdha të Kosovës me dekada, ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, të cilën e ka falënderuar për përkrahjen ndaj Kosovës dhe e ka njoftuar për zhvillimet e fundit në vend dhe në rajon.

Ndërkohë, Ministri Hoxhaj ka marrë pjesë edhe në një koncert të organizuar në Washington nga ministri i Jashtëm i Italisë për nder të 60 vjetorit të Traktatit të Romës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme