Hyseni: Provokimet e Serbisë nuk përfundojnë me trenin

Prishtinë | 17 Jan 2017 | 13:00 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nisja e trenit në drejtim të Mitrovicës me sllogane urrejtje dhe konflikt nxitës nga ana e Beogradit, ka qenë një provokim rëndë.

Kështu tha ministri Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, gjatë mbledhjes së komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në të cilën u diskutua rreth situatës së sigurisë në Republikën e Kosovës.

Hyseni tha se institucionet e vendit ishin të përgatitura për një gjë të tillë, andaj edhe ndaluan trenin, duke përçuar mesazhin tek Beogradi se veprimet e tilla provokuese janë gabim dhe nuk do të tolerohen, raporton Ekonomia Online.

“Kemi pas takime të shumta midis dikastereve të Qeverisë në vend. Kemi pas takime paralajmëruese për vendimet që do të merren me këtë rast. Kemi dashtë të dërgojmë mesazh të qartë në Beograd se ai tren nuk mund të hyjë në Kosovë. Ka qenë një provokim i rëndë me sllogane urrejtje dhe konflikt nxitës që mund të shkaktojnë incidente. Kemi dashtë të bindim që Beogradi është gabim të provokohet një situate e tillë”, tha Hyseni, duke shtuar se në ditët në vijim duhet të jenë vigjilentë, pasi që Serbia mund të provokojë me situate të ndryshme.

Ministri i Punëve të Brendshme tha se veprimet e Policisë së Kosovës janë mesazh i qartë për Beogradin që të mos ketë provokime të tilla.

“Policia e Kosovës e ka kryer punën e vet dhe i përgëzoj. Planet e Policisë nuk kanë mundur të bëhen publike dhe të zbulohen paraprakisht. Policia ka shkuar më herët në bazë të spekulimeve që është minuar hekurudha. Aty është bërë një kontroll rutinor”, tha Hyseni.

Për veprimin në veri Ministri Hyseni, mori lëvdata edhe nga opozita Rexhep Selimi nga Vetëvendosje ka përgëzuar Ministrinë Hyseni për ndalimin e trenit të Serbisë i cili kishte për destinacion Mitrovicën e veriut.

Mirëpo, deputeti Rexhep Selimi ka kërkuar nga ministri Hyseni që të veprojnë njëjtë edhe me linjën Kralevë – Mitrovicë.

Ai tha se si opozitë do të mbështesin çdo veprim të Qeverisë që është në të mirë të vendit, duke kërkuar që të ruhet kushtetutshmëria e vendit.

Edhe kryetari i Komisionit për Siguri Daut Haradinaj ka përgëzuar Hysenin për veprimet e fundit në veri.

Deputeti i Nismës për Kosovën Zafir Berisha, reagoi ndaj raportimit të ministrit të Punëve të Brendshme Skënder Hyseni. Berisha tha se qesharake ka qenë gara se kush e ndali trenin,

Ai tha se asgjë s’keni bërë më shumë se sa që keni respektuar ligjin dhe Kushtetutën.

“Kjo nuk është hera e parë sepse ndërhyrje të Serbisë ka tash e sa vjet si rezultat i politikës së gabuar”, tha Berisha”.

Berisha tha se krejt kjo vjen si pasojë e bisedimeve në Bruksel ku sipas tij pala kosovare ka lëshuar pe dhe ka rrezikuar sovranitetin e shtetit.

Nuredin Ibishi, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njohësi i çështjeve të sigurisë ka thënë se qëllimi i Serbisë është që kosovarët t’i bëjnë edhe terroristë.

“Shumë po spekulohet edhe përgatitja e akteve terroriste nënkupton minimin e binarëve të trenit”, ka thënë Ibishi”.

“Binarët nuk kanë qenë fare të mbuluar me borë. Qëllimi i politikës serbe është të na bëjë edhe terroristë. Me shërbimet profesionale të tuajat duhet ta demantoni”.

Deputeti i LDK-së, Anton Quni ka vlerësuar lart punën e Policisë dhe institucioneve për ndaljen e trenit serb.

“Ndjehem mirë kur ne i tregojmë shtetit tonë fqinj, se ne jemi shtet”, ka thënë Quni.

 

Hyseni: Policia e Kosovës është e gatshme për rrënimin e murit

Hyseni ka folur edhe për murin në veri duke thënë se Policia është e gatshme të kryejë punën e saj edhe në këtë çështje, por që sipas tij paraprakisht duhet një vendim nga institucionet gjegjëse.

“Policia e Kosovës është e gatshme për rrënimin e murit, por nuk është kompani ndërtimore që ta bëjë këtë. Policia nuk i merr vendimet vet”, tha Hyseni.

Pavarësisht situatës së krijuar, Hyseni mendon se dialogu duhet të vazhdojë, por duhet të ristrukturohet tërësisht.

 

 

 

 

Të ngjashme