Idrizi: Në Mitrovicë do të marrë fund diskriminimi shoqëror

Prishtinë | 11 Tet 2017 | 10:48 | Nga

Me fitoren e PDK-së në Mitrovicë, do të marrë fund diskriminimi ndaj kategorive të ndryshme të shoqërisë, të cilat ishin pa përkujdesje dhe vëmendje nga komuna. Kështu u zotua kandidatja e PDK-së për kryetare të Komunës së Mitrovicës, Valdete Idrizi, gjatë takimeve që zhvilloi me personat me aftësi të kufizuara dhe me ata me Sindrom Down.

Pasi u njoftua për gjendjen në të cilat ndodhen këto shoqata, ajo u shpreh e habitur për kushtet e tyre të rënda. “Është e papranueshme që një pjesë e shoqërisë sonë të mbetet në gjendje të tillë, në kushte tepër të vështira, me zyra që nuk i plotësojnë kushtet fare, pa përkujdesje të duhur institucionale. Kjo përkujdesje ka munguar kryesisht  gjatë mandatit të fundit të qeverisë lokale”, tha ajo.

Idrizi theksoi se kjo gjendje nuk do të duhej të ishte e këtillë. “Nuk do të duhej të kishit mungesë të lokaleve ku i zhvilloni aktivitetet tuaja, nuk do të duhej të kishit mungesë të karrocave, nuk do të duhej të kishit mungesë të përkujdesje shëndetësore me barëra dhe mjete të tjera”.

Sipas saj, kjo është e turpshme sepse një shoqëri që nuk e trajton këtë kategori ashtu siç duhet, ajo nuk ka perspektivë. “Ju jeni pjesë e pandashme e shoqërisë sonë. Do të bëjmë çdo gjë që ju të integroheni në shoqëri. Ju mund të kryeni punë të rëndësishme ashtu siç kryejnë të tjerët. Ju garantoj se gjatë punës sime si kryetare e komunës do ta keni derën hapur në çdo kohë sepse një pjesë e madhe të veprimtarisë sime ia kam kushtuar të drejtave të njeriut, andaj edhe ju duhet t’i gëzoni të drejtat ashtu si gjithë të tjerët”, tha  Idrizi.

Të ngjashme