Instituti EPIK fton institucionet t’i adresojnë gjetjet e draft-rezolutës së AFET-it

Prishtinë | 11 Tet 2018 | 12:29 | Nga Ekonomia Online

Instituti EPIK ka komentuar miratimin e draft-rezolutës së Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian për Raportin e Komisionit për Kosovën 2018.

Në komunikatën për media, ky institut ka shprehur shqetësimin për gjetjet e kësaj draft-rezolute dhe ka ftuar institucionet t’i adresojnë këto gjetje.

Komunikata e plotë e Institutit EPIK:

“Dje, u miratua Draft-Rezoluta e Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) për Raportin e Komisionit për Kosovën 2018.

Draft-rezoluta shpreh shqetësime të thella për elementet e shtetit të kapur, korrupsionin e përhapur në gjitha nivelet institucionale, ndërhyrjet politike në drejtësi dhe në rastet e ekstradimit.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në komunikatën për shtyp të AFET-it, tek pjesa e gjetjeve për Serbinë, deputetët të Parlamentit Evropian kanë bërë thirrje që çfarëdo marrëveshje në mes dy palëve nuk duhet të shkoj në drejtim të krijimit të shteteve etnikisht homogjene, duhet të jetë e bazuar në drejtën ndërkombëtare dhe të ofroj kontribut në stabilitetin e rajonit dhe asesi të destabilizoj atë.

Deputet e Parlamentit Evropian konsiderojnë se normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, përmes një marrëveshje ligjërisht të obligueshme në mes te dyja vendeve do jete i pamundur pa zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani.

Draft-rezoluta ri konfirmon ngecjet në zbatimin e reformave në kuadër të agjendës evropiane dhe bënë thirrje institucioneve për zbatim të plotë të Agjendës Evropiane të Reformave – proces i lansuar në nëntor 2016 dhe i cili është dashur të përmbyllet në fund të vitit 2017.

Raporti konfirmon se si pasoje e mungesës se konsensusit dhe polarizimit politik Qeveria dhe Kuvendi nuk janë ne gjendje te zbatojnë reformat e parapara ne kuadër agjendës Evropiane.

Draft-rezoluta e bënë të qartë që në procesin e liberalizmit të vizave luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe menaxhimi efektiv i migrimit jo të rregullt është krucial për këtë proces. Sistemi i drejtësisë duhet të jetë i pavarur nga politika, transparent, efikas dhe me kuadro me integritet te pa cenueshëm

Draft-rezoluta shpreh shqetësimin e thellë rreth përpjekjeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ta shfuqizuar Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit Special.

Draft-rezoluta fton institucionet e Kosovës që të garantojnë lirinë e mediave, si shtyllë e rëndësishme e shoqërisë demokratike.

Instituti EPIK shpreh shqetësimin e thellë për gjetjet e draft-rezolutës dhe fton institucionet që urgjentisht të adresojnë gjetjet e draft-rezolutës.

Të ngjashme